PDK-ja kërkon që ndryshimi i Ligjit për Specialen të miratohet qysh sot, LVV-ja kërkon që më parë të zgjidhet presidenti

Prishtinë, 5 tetor 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkon që Projektligji për Ndryshimin e  Ligjit për Gjykatën Speciale të votohet në lexim të dytë qysh sot, ndërsa Lëevizja Vetëvendosje (LVV) kërkon që më parë të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, propozoi që Projektligji, bashkë me amendamentet, të votohet në komisione e pastaj të votohet në lexim të dytë në Kuvend gjatë ditës së sotme. Madje, ai propozoi edhe orarin e votimeve në komisione dhe në Kuvend.

“Propozoj që amendamentet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të mund t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30. Komisioni Funksional, deri në orën 15:30, duhet ta shqyrtojë projektligjin në fjalë. Komisioni Funksional, deri në orën 17:00, pra sot, duhet t’ia paraqesë Kuvendit raportin me rekomandimet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtimin e dytë në seancën plenare. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, tha Tahiri.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi të pakuptueshme kërkesën që projektligji të votohet në lexim të dytë para se të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Si ka mundësi që pa kaluar pak kohë dilni dhe e ndryshoni qëndrimin? Nuk ju kuptoj”, tha ajo, duke iu përgjigjur Tahirit.

“Është e rëndësishme t’i japim vendit president. Sot ju ftoj të takoheni, të merreni vesh. Nuk ka më të rëndësishme se presidenti”, theksoi ajo.

Por, PDK-ja këmbëngul që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratohen pavarësisht prej epilogut të çështjes së presidentit. Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se çështja e ligjit nuk duhet të lidhet me çështjen e presidentit.

“Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë çështje të ndara. Ligji është detyrim, presidenti është marrëveshje. Nuk është ligj për kompromis as për koncesion. Nuk i bëhet nder PDK-së me këtë ligj, i bëhet nder historisë”, tha Çitaku.

Kryeministri Albin Kurti, para votimit të Projektligjit në lexim të parë, tha se pret që njëkohësisht me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen të zgjidhet edhe presidenti i ri i vendit. Ai theksoi se një strategji e qëndrueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së mund të bëhet vetëm nga institucione të qëndrueshme.

“Duhet ta kemi të qartë se, për të pasur një strategji të qëndrueshme [për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomën e Apelit], duhet ta kemi edhe një shtet të qëndrueshëm. Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe president për Kosovën. Njëra pa tjetrën mund të jetë shumë e dëmshme”, theksoi ai.

Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, janë takuar për të diskutuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis partive të tyre.

(r.m.)