Prishtinë, 7 gusht 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca (ish-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) kërkojnë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të vazhdojë sonte, në mënyrë që konstituimi organit më të lartë ligjvënës të përmbyllet brenda afatit kushtetues.
Kërkesa e tri partive shqiptare të renditura pas Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit erdhi menjëherë pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ftoi për nesër (e shtunë) vazhdimin e seancës së filluar të enjten.
PDK, LDK dhe Aleanca tërhoqën vërejtjen se thirrja e seancës për nesër është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të qershorit të vitit të kaluar. Sipas këtij aktgjykimi, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh prej ditës së shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve parlamentare që do të thotë se afati për konstituimin e Kuvendit skadon sonte në orën 24:00.
PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca e akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për shpërfillje të qëllimshme të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për shkeljen e radhës të rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sot refuzoi të respektojë afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të partisë së dytë në Kuvend.
“Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Kjo parti e akuzon Kurtin për shkeljen e Kushtetutës.
“Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror”, thuhet në reagimin e PDK-së.
LDK-ja paralajmëron se mosrespektimi i afatit kushtetues mund të shkaktojë pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues.
“Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Partia e tretë në Kuvend i bën thirrje LVV-së që të bëjë të mundur që procesi i konstituimit të Kuvenditt ë përmbyllet sonte, para skadimit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja.
“LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Edhe Aleanca kërkoi që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë sonte, në orën 22:30. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se kjo kërkesë është bërë në koordinim me grupet e tjera parlamentare.
“Si grup parlamentar, në diskutim edhe me grupet e tjera parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, e cila duhet të thirret sonte në orën 22:30”, tha Tahiri në një konferencë për media.
Njohës të Kushtetutës dhe ekspertë të fushës thonë se thirrja e seancës pas skadimit të afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit është kundërkushtetuese. Ata paralajmërojnë që thirrja e seancës për nesër do të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese.
Në qoftë se Kushtetuesja konstaton se vazhdimi i seancës së thirrur për nesër është kundërkushtetues, atëherë Kuvendi i Kosovës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
(r.m.)