PDK, LDK e AAK e mirëpritën vendimin e Kushtetueses, e quajnë fitore të demokracisë

Prishtinë, 8 gusht 2025 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë mirëpritur endimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, e ka cilësuar aktgjykimin e Kushtetueses si” konfirmim të plotë të qëndrimit të PDK-së” se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin për muaj me radhë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Jemi të lumtur që tashmë nuk do ta kemi barrikadën që e pati vendosur z. Kurti me zonjën Haxhiu, si një barrikadë që nuk mund ta kalonim për të krijuar institucionet. Mirëpo, e njëjta nuk mund të dalë në votim më shumë se tri herë dhe shpresojmë që gjatë kësaj periudhe do të arrijmë në pikën kur do ta gjejmë një kandidat, i cili do ta ketë edhe votën e grupeve tjera parlamentare”, ka thënë ai.

Tahiri ka shprehur bindjen se Lëvizja Vetëvendosje të veprojë njëjtë, pavarësisht nga vendimi i Kushtetuerses, dhe do të përpiqet, siç është shprehur ai, “të vendosë një rend të ri në kundërshtim me Kushtetutën”.

Edhe LDK-ja e ka mirëprutur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi Besian Mustafa, në një konferencës për media, tha se ky vendim tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit.

“LDK konsideron se njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, i prerë dhe pa ekuivok se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se Gjykata ka konstatuar se z. Dehari si kryesues i Seancës Konstituive, nën direktivat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke injoruar vendimet e Gjykatës dhe duke cenuar rëndë rregullin kushtetues të vendit”, ka thënë Mustafa.

“Kushtetuta është mbi të gjitha. Asnjë grup parlamentar, asnjë parti dhe asnjë individ nuk ka të drejtë ta sfidojë atë, e aq më pak ta shkelë atë. Shteti i së drejtës nuk është fjalë boshe. Është themeli mbitë cilin ndërtohet legjitimiteti institucional dhe besimi qytetar”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se LDK-ja “do të vazhdojë të mbrojë Kushtetutën, demokracinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 8 gushtit e ka mirëpritur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, e ka cilësuar këtë vendim si “fitore të demokracisë.

“Me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese një gjë është e qartë: Kosova nuk është dhe nuk mund të bëhet diktaturë. VV duhet ta propozojë kandidatin-en për Kryeparlamentar dhe deputetët të votojnë në votim të hapur. Nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozim vetëm të një kandidati. Nuk mund të mbahet peng shteti vetëm për ambicie të sëmurë të një personi”, ka shkruar Gjini në Facebook.

“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, ka theksuar ai.

Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten se konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet për përmbyllet brenda 30 ditësh dhe ka urdhëruar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, duke shpjeguar se votimi për të njëjtim kandidat për kryetar nuk mund të përsëritet më shumë se tri herë.

Ajo njoftoi gjithashtu se kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit e ka urdhëruar ta vazhdojë seancën aty ku ka mbetur, me pikën e tretë të rendit të ditës, ndërsa deputetët i ka urdhëruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë “për”, “kundër” ose “abstenim”.

(r.m.)