Prishtinë, 7 maj 2025 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se formimin e qeveri së re nga partitë që kanë qenë në opozitë në mandatin e kaluar e konsideron si zgjidhjen më të mirë për vendin.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, thuhet në komunikatën e PDK-së, të lëshuar pas mbledhjes së kryesisë së saj, në të cilën është shqyrtuar situata aktuale dhe propozimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie tranzitore nga partitë kryesore parlamentare
PDK tha se ajo është e gatshme të takohet me të gjitha subjektet politike parlamentare për zgjidhjen e krizës institucionale në të cilën gjendet vendi.
“Dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional”, ka thënë PDK.
Ajo ka thënë se Presidentja e vendit mund të thërrasë për konsultime të gjitha partitë parlamentare.
“Konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbipartiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK-ja i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos vazhdojë të propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, në mënyrë që “të mos e mbajë peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake”.
(r.m.)