PE: Maqedonia e Veriut ta zgjidhë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe

Strasburg, 17 qershor 2026 – Parlamentit Europian (PE) miratoi të mërkurën raportin për Maqedoninë e Veriut, të cilit iu shtua edhe amendamenti për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, përfshirë dhe atë të Jurisprudencës.

Amendamenti u bën thirrje autoriteteve maqedonase që këtë çështje ta zgjidhin sa më shpejt dhe kërkon që protestat e studentëve shqiptarë të mos konsiderohen si faktor destabilizues apo si prtotesta të motivuara politikisht.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues”, thuhet në amendamentin e miratuar nga PE.

Para disa ditësh, përfaqësues të grupit të studentëve protestues u takuan në Shkup me përfaqësues të PE-së, të cilëve ua shprehën protestën e tyre për mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe për moslejimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

(r.m.)

Comment

*