PE: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë

Strasburg, 10 maj 2023 – Parlamenti Evropian i ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe për Serbinë, përmes së cilave u bëhet ftesë të dy shteteve që “të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe normalizimi duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Në rezolutën për Kosovën përsëritet thirrja për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia), që ta bëjnë këtë.

Në rrzolutë mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përshëndetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Miratimi i rezolutës është bërë pas debatit të zhvilluar të martën në mbrëmje, në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e rezolutës, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, ka thënë ajo.

Për Rezolutën për Kosovën kanë votuar 452 deputetë, 87 kanë votuar kundër dhe 76 kanë abstenuar.

Në Rezolutën për Serbinë shprehet keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi me politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Gjatë debatit, shumë deputetë kanë kërkuar që Beogradi të shprehet qartë rreth aspiratave për integrim në BE dhe të dëshmojë orientimin pro-evropian duke i mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë.

Disa deputetë thanë se Serbia po e bën të kundërtën. Deputetja kroate, Zhelana Zovko, ka thënë se nga 65 për qind, sa ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e politikave të Serbisë me politikën e jashtme të BE-së ka rënë në 45 për qind.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, ka kërkuar që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet dhe që procesi i normalizimit të masrrëdhënieve midis dy shteteve të përfshijë njohjen e ndërsjellë. Ajo ka kërkuar gjithashtu që serbët në veri të Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.

Tekstet e raporteve për Kosovën dhe për Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, por atyre u janë shtuar disa amendamente, të cilat kanë marrë shumicën e votave të deputetëve evropianë.

(r.m.)