PE miraton rezolutën për Kosovën. E dënon ashpër sulmin terrorist në Banjskë, kërkon përgjegjësi nga Serbia

Strasburg, 19 tetor 2023 – Parlamenti Evropian (PE) ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, i cili silësohet sulm terrorist. Në rezolutë kërkohet përgjeegjësi nga Serbia nëse dëshmohet se kishte lidhje të drejtpërdrejtë me slmin.

Teksti i rezolutës, i cili u miratua në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.

Në rezolutë përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, ndërsa Serbia kritikohet për mosdistancim të qartë nga sulmi, glorifikimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që e kryen sulmin dhe shpallja e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë gjatë sulmit.

“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën u bëhet ftesë të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e kanë dënuar këtë sulm, ta bëjnë një gjë të tillë.

Përmes rezolutës, PE u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.

“Bëjmë ftesë që BE-ja të mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e [misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Ndërkaq Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian u bëhet thirrje të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë, në qoftë se hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

Këshillit Evropian i kërkohet edhe të marrë masa ndëshkuese ndaj aktorëve që shkaktojnë tensione në pjesën veriore të Kosovës dhe ndaj udhëheqësve të krimit të organizuar.

“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.

PE-ja, përmes rezolutës, e dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës. Po ashtu, e kritikon edhe gjuhën e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe për shqiptarët, si edhe përhapjen e gënjeshtrave për “spastrim etnik” të serbëve në Kosovë.

“U bëhet thirrje autoriteteve dhe medies në Serbi që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ apo ‘pogrom’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”, thuhet në rezolutë.

PE, përmes rezolutës, i bën thirrje BE-së që të ketë  një rol më pro-aktiv në dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës e Seerbisë, në mënyrë që ato t’i zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit, të arritur në Bruksel dhee Aneksin e saj të miratuar në Ohër. Po ashtu shpreh keqardhje që Serbia ka rinisur fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe ka vazhduar të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa nga Kosova kërkon të zhvillojë dialog me serbët lokalë dhe sa më shpejt të organizojë zgjedhje të reja lokale në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Në disa pika të rezolutës shprehet keqardhje për sjelljet e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që e destabilizojnë gjithë rajonin.

Në rezolutën, PE kërkon heqjen e masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i vendosi BE-ja për shkak të tensioneve në pjesën veriore të vendit, në fund të muajit  majit.

“Shprehim keqardhje për masat negative të cilat Këshilli (i BE-së) i ka ndërmarrë ndaj Kosovës dhe kërkojmë që ato të hiqen sa më parë që të jetë e mundur. Kërkojmë nga Këshilli dhe Komisioni Evropian që të rifillojnë kontaktet e nivelit të lartë me Presidenten dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në rezolutë.

Në rezolutë kërkohet që BE të mos vë në dyshim liberalizimin e vizave për Kosovën dhe që kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Rezoluta dënon edhe përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës e Serbisë dhe kërkon që të hetohet roli eventual i Rusisë në sullmin terrorist në Banjskë.

Autori dhe nismëtari i rezolutës, Tonino Picula, deklaroi pas votimit se sulmi terrorist në Banjskë kërkon reagim serioz.

“Sulmi terrorist është një pikë kthese e paprecedent në periudhën e pasluftës dhe kërkon një reagim serioz politik, si për shembull masat e shënjestruara kundër aktorëve që destabilizojnë veriun e Kosovës”, tha ai.

Picula e kritikoi ashpër Serbinë për vazhdimin e raporteve të ngushta me Rusinë dhe me Kinën. Ai theksoi se “kjo vë në dyshim seriozisht orientimin strategjik të Serbisë”.

(r.m.)