Londër, 31 gusht 2023 – I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka deklaruar se vendi i tij e përkrah procesin drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se Britania është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët në lidhje me dialogun.
“Mbështesim fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë moment ne vazhdojmë të mbështesim thirrjet e Bashkimit Evropian për depërshkallëzim. Këtë e kam bërë edhe unë vetë, gjatë vizitave të mia, dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me dialogun. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmëshekullore në ushtri, kam mësuar se gjithmonë është mirë të flasësh”, ka thënë Peach për N1.
Peach ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzaknshme në katër komunat veriore të Kosovës.
“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të de-përshkallëzojnë situatën, serbët e Kosovës të kthehen në institucione dhe të ketë ekuilibër dhe drejtësi në polici. Policia të kthehet sa më shpejt në parametrat normal dhe që demokracia në nivel lokal të funksionojë realisht, me çka nënkuptoj zgjedhjet lokale. Ne presim përgjegjësinë më të madhe të mundshme të të gjitha subjekteve dhe që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”, ka thënë Peach.
(r.m.)