Pedagogët e universiteteve të Shqipërisë nuk e fillojnë punën, paralajmërojnë edhe protesta të përditshme

Tiranë, 17 tetor 2022 – Pedagogët e shumicës së universiteteve në Shqipëri e kanë bojkotuar mësimin të hënën, prandaj në këto universitete nuk ka filluar viti i ri akademik.

Gati në të gjitha fakultetet e Tiranës është bojkotuar mësimi nga pedagogët. Semestri i ri ka filluar vetëm në Fakultetin e Mjekësisë.

Pedagogët e kan bojkotuar mësimin dhe kanë protestuar edhe në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës dhe në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe në universitetin “Fan S. Noli” të Korçës ka filluar mësimi normalisht.

Përmes një deklarate shpërndarë mediave, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë njoftoi vijimin e protestës së pedagogëve, duke filluar nga dita e sotme nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti, nga ora 10.00 – 12.00.

Gjithashtu përmes një shkrese drejtuar autoriteteve drejtuese të njësive kryesore të IAL-ve Publik ata kërkojnë mbledhjen e Asamblesë së Personelit Akademik, të quajtur në ketë kërkesë si Asamble e Përgjithshme, duke ftuar në këtë organizëm edhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të Asamblesë së Personelit Akademik.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, tha për mediat shqiptare se bojkoti do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të pedagodëve.

Ai theksoi se protestat do të jenë të përditshme përballë Politeknikut dhe do të zhvendosen përballë zyrës së kryeministrit.

Kovaçi tha se pedagogët e kanë mbështetjen e plotë të studentëve dhe theksoi se pegagogët dhe studentët kanë qëllim të përbashkët.

“Studentët e kanë mbështetur grevën e pedagogëve. Qëllimi është i përbashkët. Duam që qeveria të kthejë sytë nga universiteti’, tha ai.

Kovaçi tha se bojkotit mund t’i japë fund  vetëm kryeministri Edi Rama, duke përmbushur kërkesat e pedagigëve. Ai shtoi se ministrja e arsimit është e pafuqishme ta bëjë këtë.

“Fjalën e fundit duhet ta thotë kryeministri. Nuk mendojmë që përmes ministres Kushi mund t’i përmbushim kërkesat tona”, u shpreh pedagogu Kovaçi.

Pedagogët e universiteteve të Shqipërisë kërkojnë rritje për 50 për qind të pagës për punën e tyre me studentë dhe përpunën e tyrekërkimore.

Më 5 tetor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se qeveria ka vendosur që pagat e pedagogëve të rriten me gjithsej 15 për qind. Sipas vendimit të qeverisë, 7 për qind e rritjes do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa 8 për qind nga të hyrat e universiteteve.

“Universitetet me autonominë që gëzojnë mund të propozojnë rritje mbi kufirin minimal, të cilën mund ta mbulojnë me të ardhurat e tyre”, ka thënë ministrja Kushi.

(r.m.)