Uashington, 22 qershor 2025 – Pentagoni dha informacione më të detajuara mbi sulmin ajror të ushtrisë amerikane ndaj tri impianteve bërthamore të Iranit.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të dielën se sulmet i kanë shkatërruar plotësisht ambiciat bërthamore të Iranit.
“Ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht”, u tha Hegseth gazetarëve, në një konferencë për shtyp.
Ai e cilësoi operacionin si akt të guximshëm të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Operacioni që e planifikoi presidenti Trump ishte i guximshëm dhe i shkëlqyer, duke treguar botës se frikësimi amerikan është rikthyer. Kur ky president flet, bota duhet të dëgjojë”, theksoi Hegseth.
Ai bëri të ditur se sulmet u kryen me 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve dhe me dhjetëra raketa Tomahawk, ndërsa në operacion morën pjesë mbi 125 aeroplanë ushtarakë.
Gjenerali Dan Caine tha se dy objekte bërthamore u goditwn me bombat e fuqishme për shkatërrimin e bunkerëve. Ai tha se avionët amerikanë përdorën taktika që të mos detektoheshin nga autoritetet iraniane, duke shtuar se nuk ka informacione se Irani e ka sulmuar ndonjë nga avionët amerikanë gjatë qëndrimit të tyre në hapësirën ajrore të këtij vendi.
Cain tha se sulmi u krye në orën 02:10 sipas kohës lokale në Iran dhe se raketat Tomahawk ishin të fundit që u përdorën gjatë sulmit.
Gjenerali Caine tha se, bazuar në informacionet fillestare, tri impiantet bërthamore të goditura gjatë operacionit ushtarak amerikan kanë pësuar dëme të mëdha dhe shkatërrime.
(r.m.)