
Nga Ruben Avxhiu
Në fillim të viteve 70, regjimi i kolonelëve në Greqi, një diktaturë kuazi-fashiste, kërcënonte se do t’ia merrte Shqipërisë Vorio-Epirin.
Dukej si një shaka e trashë, se puna e kufijve ishte mbyllur në Evropë dhe sferat e influencës ishin ndarë e çimentuar bashkë me Murin e Berlinit.
Enver Hoxha në Tiranë ishte paranojak, por ky ishte një nga ato rastet e rralla që paranoja kishte një bazë. Kolonelët besonin se kishin mbështetjen amerikane kurse, Shqipëria kishte gati 10 vjet që ishte prishur me Bashkimin Sovietik dhe kishte dalë nga harta e blloqeve të ndara me perden e hekurt.
Kolonelët mund të ndërhynin ushtarakisht për të pushtuar Jugun, dhe ta paraqisnin si përpjekje për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri. Vetëm pak vite më parë, CIA e kishte provuar vetë me diversantë shqiptarë duke ndjekur “teorinë e dominosë”: Nëse bie komunizmi në një vend, fillon të bjerë edhe në vende të tjera.
Mbase nuk do të ndodhte, por çfarë do të humbte SHBA nëse të marrët në pushtet të Greqisë do ta provonin me kokë të tyre, pa lejen e saj zyrtare. Shpërblimi në mendjen e kolonelëve mund të ishte “vorio-epiri”.
Mbase ishte thjesht fantazi e sëmurë nacionaliste greke, por shqiptarët po përpiqeshin të merrnin me mend se sa ishte e mundshme që ta bënin realitet. Gjatë luftës civile greke, Shqipëria kishte ndihmuar palën komuniste, duke rrezikuar edhe konfliktin ushtarak. Por në atë kohë besohej se sovietikët do të vinin në ndihmë. Tani duhej t’i bënin hesapet vetë.
Shqetësimi kishte kaluar edhe Oqeanin te shqiptarët nacionalistë në SHBA, shumë prej të cilëve ëndërronin rënien e regjimit komunist në Shqipëri, por asnjë prej tyre nuk do të pranonte që si shkëmbim të copëtohej jugu i vendit. Rreth 10 vjet më parë, kur kryeministri Mehmet Shehu kishte shkuar në OKB për Asamblenë e Përgjithshme, nacionalistët shqiptarë kishin dalë në protestë për të dënuar krimet e komunizmit në Shqipëri. Anash tyre po bëhej një protestë paralele kundër Mehmet Shehut dhe Shqipërisë, nga nacionalistët grekë që kërkonin aneksimin e jugut. Atëhere shqiptarët e lanë protestën e tyre dhe shkuan dhe u rrahën me nacionalistët grekë. Atdheu ishte më i rëndësishëm se ideologjia.
Tani që kolonelët ishin në pushtet në Greqi dhe kishin kërcënuar me ndërhyrje, a do ta aprovonte SHBA sulmin ndaj një vendi me të cilin nuk kishin as marrëdhënie diplomatike.
Pikërisht në këtë kohë, një biznesmen i ri me emrin Ekrem Bardha në Michigan arriti të sigurojë një takim me Presidentin Richard Nixon. Ishte hera e parë, pas një gjysëmshekulli që një shqiptar takohej me një president amerikan. I pari, sipas historisë, kishte qenë Fan Noli kur i kërkoi Presidentit Woodarow Wilson që të mos lejonte zhdukjen e shtetit shqiptar nga fqinjët e fuqishëm që planifikonin ta ndanin mes tyre.
Në kohën e Nolit, SHBA sa po hynte për herë të parë si faktor në historinë e Evropës duke ndryshuar përgjithmonë fatin e shqiptarëve. Gjysëmshekulli më vonë, SHBA ishte një nga dy superfuqitë e armatosura me arsenal madhor bërthamor.
Ekrem Bardha nuk kishte arsim se jeta e kishte detyruar të hynte në punë që fëmijë, kështu që i foli thjesht dhe shkoqur Presidentit. Për koinçidencë, Nixon ishte dikush që i shihte me dyshim intelektualët dhe preferonte të folurën e drejtëpërdrejtë. Bardha i tha se shqiptarët e Amerikës ishin antikomunistë dhe republikanë. Ata nuk e donin regjimin e Tiranës, por ata ishin patriotë dhe nëse donte votën e tyre, Nixon duhej të premonte se integriteti i Shqipërisë nuk do të prekej. Bardha ishte i sigurtë se pa lejen e tij kolonelët grekë nuk do të guxonin të vepronin.
Nixon i shtrëngoi dorën dhe i premtoi menjëherë se Greqia nuk do të aneksonte territore të Shqipërinë. Ekrem Bardha vinte nga një shoqëri ku fjala e burrit ishte gjithshka, por kishte jetuar shumicën e jetës në një vend ku avokatët të mësonin se fjalët e politikanëve i merrte era, por premtimet me shkrim ishin ligj. Duke rrezikuar të provokonte një nga presidentët më me temperament në historinë amerikane, shqiptari nga Kolonja e pyeti Presidentin nëse mund t’ia jepte me shkrim atë që sapo tha. Nixon, i kërkoi menjëherë një copë letër, dhe me dorën e tij, shkroi se qeverisë greke nuk do t’i jepej trajtim preferencial lidhur me territoret dhe në asnjë drejtim tjetër. Se ai interesohej njësoj për të gjithë amerikanët pavarësisht nga origjina dhe se për popujt që vuanin nën komunizëm kishte një interes të veçantë.
Është gjithnjë e vështirë të llogaritet se sa ndikim kanë vërtet takime të tilla se ku mbaron realiteti dhe ku fillon legjenda, por kjo mund të thuhet për çdo përpjekje të ngjashme. E vërteta është se diktatura e kolonelëve nuk guxoi të provonte fatin e saj në Shqipëri. Por fakti, qw pak kohë më pas bëri një aventurë ushtarake jashtë kufijve të Greqisë, në Qipro, duke provokuar ndërhyrjen e Turqisë dhe ndarjen e ishullit që vazhdon edhe sot, dëshmon se nuk ishte fare fantazi një sulm ushtarak ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër dështimi i ndërhyrjes në Qipro, solli edhe rrëzimin e regjimit dhe kthesën greke drejt demokracisë.
Takimi me Nixon ndodhi përpara se shqiptarët të mësonin artin e lobimit modern në SHBA duke e bërë Ekremin një udhërrëfyes në këtë drejtim. Kur shqiptaro-amerikanët të themelonin Ligën Qytetare dhe pastaj Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Ekrem Bardha do të ishte një nga mbështetësit kryesorë dhe veprimtar shumë aktiv.
Në vitin 1998, bleu gazetën “Illyria” në New York, zërin më të fuqishëm të shqiptaro-amerikanëve në ato vite kritike, për të vazhduar punën e nisur nga Harry Bajraktari. Në 2006, stafetën e mori Vehbi Bajrami që vazhdon traditën edhe sot e kësaj dite.
Në verën e vitit 1999, udhëtova me Dalip Grecën nga Tirana për të viztuar redaksinë e gazetës “Illyria” për të cilën pastaj filluam punë. Ndalesën e parë e bëmë në Detroit, ku Ekrem Bardha na priti në shtëpinë e tij. Në një nga muret e zyrës, ishte në kornizë edhe letra me dorëshkrimin e Presidentit Nixon. Por ndonëse është përmendur shpesh, nuk e kam parë që ta vendosë njeri atë takim në kontekstin historik të kohës. Nga reliket e asaj kohe ruante edhe një portret me laps të Presidentit Nixon dërguar nga ai vetë pas takimit që kishin bërë.
Që atëhere, ai i ka takuar gati të gjithë presidentët amerikanë dhe shumë politikanë të tjerë të shquar amerikanë. Kanë qenë momente kulmore të një jete të gjatë dhe aktive nga e cila ka shumë për të mësuar.
Pak ditë më parë, në Detroit, shumë shqiptaro-amerikanë të njohur, që kanë qenë aktivë në periudhën vendimtare të fundshekullit të kaluar, u mblodhën për të nderuar Ekrem Bardhën me rastin e botimit të librit të tij të dytë
Pak ditë më parë në Michigan, tashmë në moshën 94 vjeçare, Ekrem Bardha ishte në qendër të një veprimtarie të madhe që mblodhi bashkë disa nga figurat kryesore të komunitetit, shumë prej të cilëve kanë bërë histori në mbështetje të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës dhe ndryshimit të situatës së shqiptarëve në mbarë Ballkanin.
Takimi në Kishën e Shën Palit, në Michigan, synonte të prezantonte librin e dytë nga Ekrem Bardha, “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, por u kthye në një ceremoni të madhe për të nderuar figurën e këtij atdhetari shqiptar.
Mes të ftuarve kishte një numër figurash të komunitetit bashkëpunëtorë të Ekrem Bardhës në vitet 1980-2000 e më vonë. Kjo gjeneratë veprimtarësh shqiptaro-amerikanë kanë një meritë të madhe historike në angazhimin amerikan në Ballkan që kulmoi me ndërhyrjen ushtarake për çlirimin e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj në 2008, për rritjen e ndikimit të komuniteteve shqiptare në rajon dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Megjithë nderimin dhe njohjen që u është bërë figurave të këtij brezi, vlera dhe rëndësia e punës së tyre do të vijë duke u rritur.






