Për “ushtarët e huaj” në Prishtinë

Nga Ruben Avxhiu

Disa komente të nervozuara po qarkullojnë nga shqiptarë për praninë e ushtarëve dhe njësive të sigurisë izraelite në aeroport dhe rrugët e Prishtinës.
Çfarë duan ushtarët e huaj në vendin tonë?
Komente sigurisht pa vend. Siguria e Kosovës ka qenë dhe mbetet çështje ndërkombëtare.
“Ushtarët e huaj” ishin ata që erdhën me NATO-n në 1999 dhe vazhduan punën e UÇK-së duke sjellë çlirimin e Kosovës. Në krye të “ushtarëve të huaj”, një gjeneral gjerman i tha komandantit serb që ta mbyllte ligjëratën që po mbante sepse kishte vetëm 30 minuta kohë për t’u larguar bashkë me pushtuesit e tjerë.
Janë “ushtarët e huaj” që garantojnë sot sigurinë dhe paprekshmërinë e kufijve të Kosovës, mes tyre edhe qindra amerikanë. Kosova kërcënohet nga një shtet si Serbia që për hir të trashëgimisë jugosllave dhe ndihmave ushtarake e teknologjike nga Rusia, Kina, dhe Irani, si dhe për arsye gjeografike e demografike ka për momentin epërsi ushtarake e njerëzore.
Trupat nga Shqipëria dhe Kosova janë vetë “ushtarë të huaj” në vendet ku ruajnë paqen e sigurinë në bashkëpunim me trupat e aleatëve tanë.
Sot, kur Izraeli luan në Prishtinë, propaganda anti-shqiptare serbe dhe politika e jashtme e Beogradit dhe Moskës kanë nevojë të dëshpëruar për një atentat terrorist apo akt dhune kundër skuadrës izraelite. Sportistët janë civilë, sporti nuk duhet të jetë pjesë e politikës, dhe Kosova duhet të dëshmojë që është shtet dhe është në gjendje të mbajë një ndeshje sporti në kushte normale.
Një akt dhune apo terrorizmi sot nuk do të ndihmonte as Gazën e as nuk do të dëmtonte Izraelin. Të vetmet viktima do të ishin sportistë të pafajshëm, njerëz që kryejnë detyrën e ruajtjes së rendit dhe sigurisë, si dhe çështja e Kosovës. Serbia, e cila në këto javë po përpiqet përsëri në mënyrë të dëshpëruar që në Washington dhe në kryeqytetet e vendeve aleate të paraqesë Kosovën si Hamasi, sidomos pranë pesë kryeqyteteve të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën, ka nevojë për një sulm apo incident sot në Kosovë.
Pas disa vitesh propagandë për ta krahasuar Kosovën me ISIS-in, duke kopsitur bashkë fotografi të ISIS-it duke shkatërruar kisha me fotografi nga Kosova të marsit 2004, Serbia po zëvendëson tani ISIS-in me Hamasin. Në vitin 2018, kjo propagandë eci shumë mirë kur aplikimi i Kosovës për në UNESCO humbi për dy vota, për shkak se Serbia bindi disa vende që e njohin Kosovën se anëtarësia duhej të vinte vetëm kur kishat serbe të ishin të sigurta. Në fund humbëm për dy vota. Rezultati do të kishte qenë barazim, nëse Palestina, e cila ishte pranuar vetëm një vit më parë, të votonte pro Kosovës. Palestina në fakt votoi kundër Kosovës, në vijë me politikën e përhershme të saj që mban anën e Serbisë dhe e quan Kosovën një krahinë të Serbisë.
Ironia e asaj vote ishte se një vit më parë, Izraeli gjithashtu e kishte krahasuar Palestinën me ISIS-in por nuk kishte fituar. Tani Palestina po shihte një përsëritje të debatit, Kosova ishte në pozitën që kishte qenë ajo një vit më parë, e megjithatë votoi pro Serbisë.
Në ndeshjen me Izraelin, Serbia shpreson të fitojë pikë të tjera për të sabotuar njohjen dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Sidomos pasi Izraeli e njohu Kosovën në vitin 2020, megjithë propagandën se Serbia është Izraeli i Ballkanit kurse Kosova është Palestina.
Kosova nuk ka dërguar ndonjëherë terroristë që të vrasin e rrëmbejnë serbë në Serbi. Është Serbia që ka ekzekutuar civilë madje ka rrëmbyer pengje shqiptare të gjallë e të vdekur e i ka marrë në Serbi, si Hamasi civilët që po merrnin pjesë në një koncert për paqen në 7 tetor.
Kosova nuk ia ka mohuar ndonjëherë shtetësinë Serbisë, nuk ka bërë thirrje për zhdukjen e Serbisë nga harta, do ta kishte marrë me vrap ofertën e paqes me dy shtete. Është Serbia që e ka zhdukjen e Kosovës në kushtetutë, ashtu si Hamasi atë të Izraelit në Kartën e tij. Prandaj, krahasimet janë të kota dhe e mira është që të shmangen.
Punët e Lindjes së Mesme nuk mund të zgjidhen në Prishtinë e shqiptarët kanë konfliktet e tyre kështu që nuk duhet të bëhen ushtarët e askujt.
Në 24 shtator të këtij viti, dy javë përpara se terroristët e Hamasit të futeshin në Izrael për të vrarë e rrëmbyer njerëz, terroristët e Serbisë hynë në Kosovë për të vrarë e rrëmbyer njerëz. (Zyrtarët e lartë si të Hamasit ashtu edhe të Serbisë kishin qenë në Moskë pak përpara këtyre sulmeve gjë që ka çuar dyshimet se Rusia mund të ketë pasur gisht në të dy rastet nga nevoja e dëshpëruar për një front të dytë lufte që do të largonte vëmendjen nga Ukraina.)
Për fat të mirë, në Kosovë planet terroriste dështuan. Por incidenti ishte një kujtesë e angazhimit serioz serb për të krijuar destabilizim në Kosovë. Një akt terrorist në Prishtinë do të ishte një dhuratë e madhe për strategjinë e Beogradit. Nuk do të sillte asgjë për popullin e vuajtur të Gazës, nuk do të sillte asgjë për shtetin e rrethuar të Izraelit, do të dëmtonte vetëm Kosovën e do të gëzonte zemrat e liga në Serbi e Moskë.
Kosova është shtet serioz, por është një shtet i ri, me përvojë të kufizuar e mjete akoma më të kufizuara. “Ushtarët e huaj” nga Izraeli janë aty me ftesë e marrëveshje të shtetit të Kosovës, për kauzën e përbashkët të shmangies së dhunës ndaj civilëve. Janë pjesë e mbrojtjes së përbashkët nga kërcënimi që na vjen nga Serbia. Kjo e fundit e mban veten si aleate të Izraelit, por armët e prodhuara prej saj janë gjetur të përdorura nga Hamasi, ashtu si dikur nga ISIS-i. Serbia shoviniste nuk e ka pasur problem të vrasë serbë dje për propagandën e saj, nuk e ka problem as sot të vrasë izraelitë për t’ua vënë fajin shqiptarëve.
Le të mbizotërojë arsyeja, qetësia e siguria në orët e ardhshme. “Ushtarët e huaj”, të paktën në këto orë, janë në krahun tonë. Mysafirët tanë. Kur të mbarojë ndeshja e të largohen vizitorët do të kemi kohë e raste plot të ndahemi edhe njëherë e të përplasemi për konflikte që nuk kanë të bëjnë me ne – nuk rrimë dot pa u identifikuar e përqafuar me njërën apo tjetrën palë. E arsyeshme apo jo, është njerëzore.