Përçarjet mes Tiranës e Prishtinës i shkojnë përshtat Vuçiqit

Mehmet PRISHTINA

Ajo çka i nevojitet tani për tani Kosovës dhe Shqipërisë, është mbyllja urgjente e mosmarrveshjeve dhe fillimi i konsultimeve për tema që janë me interes të përbashkët. Sepse shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, është interes jetik edhe i Shqipërisë, ashtu siç është interes i Kosovës edhe roli i Shipërisë në diplomacinë ndërkombëtare, përfshi edhe Procesin e Berlinit, ku përfitimet mund të jenë të mëdha nëse liderët e Prishtinës dhe Tiranës sillen si evropianë. Rama dhe Kurti nuk kanë kurrfarë interesi dhe favori nëse e bëjnë të lumtur Vuçiqin me sjelljet e tyre inatçore ndaj njëri-tjetrit.

 

Duke u marrë me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet në mes të Tiranës dhe Prishtinës, konkretisht në mes të kryeministrave Rama-Kurti,  analisti i shquar amerikan Janusz Bugajski, me të drejt e shtron problemin në kontekst më të gjerë, pasi që sipas tij  mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndërmjet liderëve shqiptarë përtej kufijve shtetërorë mund të jenë konstruktive nëse ato çojnë në nisma të reja dhe përfshijnë publikun e të dy vendeve në diskutimet për një të ardhme të përbashkët. Por, Bugajski me një nuhatje të hollë prej vëzhguesi të vëmendshëm tërheq vërejtjen se  mosmarrëveshja aktuale i shërben kryesisht interesave të administratës së Vuçiqit në tre mënyra: së pari, mbështetja nga Tirana forcon dorën e Beogradit në dialogun me Prishtinën –  së dyti, zvogëlon pozitën e Kosovës si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, ndërkohë që rrit reputacionin e Ramës si zgjidhës i problemeve rajonale, dhe së treti, ushqen akuzat stereotipike serbe se shqiptarët janë të paaftë për të qeverisur veten dhe kanë nevojë për një mjeshtër rajonal.

Askush s’e kishte menduar se pikërisht në momentin kur kombit i duhet një unitet parimor për të përballuar sfidat që vijnë nga ambicjet iracionale të Serbisë, po ndodhë çarja në raportet Tiranë-Prishtinë dhe kjo, siç thotë Bugajski, është një shërbim lapidar që i bëhet regjimit të Vuçiqit.

Si të kualifikohet kjo çarje?

Papjekuri?

Inat?

Luftë për primat?

Apo, ndonjë arsye tjetër që shkon përtej logjikës së shëndoshë….

Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të veçanta, por më tepër se të gjitha shtetet tjera të veçanta, Kosova dhe Shqipëria kanë shumë çka të përbashkët. Ato kanë të përbashkët historinë që i solli te kjo ndarje, por e kanë edhe të ardhmen, e cila në një perspektivë evropiane, mund t’i bëjë bashkë sërish, ashtu siç ishin në 1912-tën kur Pavarësia u shpall për katër Vilajet shqiptare.

Tani jetojmë në një kohë tjetër dhe rrethanat diktojnë politika të tjera që duhet të jenë të harmonizuara me proceset euro-integruese. Shqipëria dhe Kosova ndodhen në stade të ndryshme në këto procese, por mund ta ndihmojnë shumë njëra tjetrën që, si në një kërcim valceri, të hidhen hapat sipas ritmit të orkestrit, por me kusht që të mos ia shkelin njëra tjetrës këmbët gjatë vallëzimit.

Në shikim të parë, duket se Shqipëria e Kosova kanë shumë interesa të përbashkëta për një ecje më dinamike drejt bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor, energejtik etj. Por në praktikë, po ndodhë që po zënë në thua gjatë ecjes, sepse, siç mund t’i referohemi ngjarjeve të fundit, Shqipëria e Kosova po sillen jo si shtete që kanë një prejardhje etnike, gjuhësore e kulturore, por si vende me gjeografi e demografi të largëta, si vende që ratësisht ndodhen pranë njëra tjetrës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti, përveç dallimeve konceptuale për shumë ide e procese, ata kohëve të fundit kanë dallime të mëdha edhe 

mbi rolin që duhet të ketë Tirana zyrtare në çështjen e ndërkombëtarizimit të problemeve të Kosovës.

Deri dje, Rama favorizonte Ballkanin e Hapur, kurse Kurti – Procesin e Berlinit. Ky i fundit në Forumin Strategjik të Bledit pat shpalosur pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e rajonit, duke veçuar sundimin i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprocitetin e  të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, si katër elemente që, sipas Kurtit, mund t’i shërbejnë  procesit të njohjes, komunikimit dhe ofrimit midis njerëzve në një rajon i cili ende vuan pasojat e së kaluarës problematike.

Por, krejt ndryshe mendonte Edi Rama. Ai ishte i lidhur me projektin Ballkani i Hapur, duke favorizuar agjenda të paqarta dhe krejt të disfavorshme për Kosovën. Sipas Ramës, Ballkani i Hapur ofronte mundësi të mëdha bashkëpunimi, qarkullimi dhe komunikimi midis njerëzve, ideve dhe mallrave, por nuk arrit anjëherë  ta sqarojë se si do të jetë e mundur të ndodhte kjo në kushtet kur Kosova nuk njihet si shtet nga Serbia dhe kjo e fundit paraprakisht vendos kushte e barriera se si duhet të sillet Kosova.

Tani Edi Rama ka hequr dorë nga Ballkani i Hapur dhe i është kthyer Procesit të Berlinit. Boll mirë! Por, Rama e ka për obligim edhe moral që t’i kërkoj falje Kosovës për lajthitjet dhe kohën e humbur në një inisiativë rajonale që ishte kundër interesave të Kosovës.

Rama, si udhëheqës rotativ i Procesit të Berlinit, e ka për obligim të tregohet më i kujdesshëm ndaj çështjeve rajonale, ku Kosova dëmtohet vetëm pse nuk ka raporte të mira me Serbinë.

Vendosja e Kosovës dhe Serbisë në një simetri të barabartë fajesh e përgjegjësish, do ta komplikonte edhe më tepër procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Edi Rama, të paktën që mund të bëjë në këtë faze parapërgatitore të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiranë, do të ishte, jo thjeshtë avokati në favor të Kosovës, por qëndrim parimor ndaj një problemi, rrënjët e të cilit nuk janë në Prishtinë por në Beograd. 

Edi Rama nuk ka nevojë të flijojë interesat gjeostrategjike të vendit që ai drejton duke bërë tifo, vend e pa vend, për Kosovën. Pora ama, në anën tjetër, Ramës nuk i lejohet të vendosë njëfarë ekuidistance diploamtike në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse këtë askush nuke ka kërkuar nga ai.

Të jesh parimor në mbështetje të qëndrimeve të BE-së dhe Washingtonit ndaj Kosovës, nuk nënkupton që Rama duhet patjetër të tregoj njëfarë mirëkuptimi ndaj Beogradit edhe atëherë kur Vuçiqi refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës për intervenimin rus në Ukrainë. Sepse këtu prishen parimet dhe në shprehje vie një politikë që në mungesë të një strategjie kombëtare, Rama bën lëvizje lavjerrësi herë në të majtë, herë në të djathtë. Gjatë lëvizjeve të tilla, instinktivisht tundet edhe koka, por në fund mund të ndodhë alivanosja.

Të shitesh parimor kur janë në pyetje politikat e BE-së dhe Washingtonit ndaj Kosovës, dhe të jesh joparimor kur BE dhe Washingtoni kërkon nga Vuçiqi sanksionimin e Putinit për agresionin në Ukrainë, tregon se Tirana zyrtare vuan nga një kompleks gati i pashëruar që ndërlidhet me raportet shqiptaro-serbe, dhe i trashëguar këtu e një shekull më parë.

Ajo çka nevojitet tani për tani Kosovës dhe Shqipërisë, është mbyllja urgjente e mosmarrveshjeve dhe fillimi i konsultimeve për tema që janë me interes të përbashkët. Sepse shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, është interes jetik edhe i Shqipërisë, ashtu siç është interes i Kosovës edhe roli i Shipërisë në diplomacinë ndërkombëtare, përfshi edhe Procesin e Berlinit, ku përfitimet mund të jenë të mëdha nëse liderët e Prishtinës dhe Tiranës sillen si evropianë. Rama dhe Kurti nuk kanë kurrfarë interesi dhe favori nëse e bëjnë të lumtur Vuçiqin me sjelljet e tyre inatçore ndaj njëri tjetrit.

Prishtinë, 9 korrik, 2023

One Response to “Përçarjet mes Tiranës e Prishtinës i shkojnë përshtat Vuçiqit”

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Percarja e shqiptarve ju shkon per shtat te gjithe joshqiptarve,por sic e kemi bere shprahi, me se shumti ju shkon per shtati armiqeve te shqiptareve-serbeve, rusve dhe sllave ne pergjithesi. Ama nje duhet marr drejt e shpejte, Shqiperia nuk eshte e Rames,sic as Kosova nuk eshte e Albinit.Keta e kane mandati dhe juane mendator,me perpjekje te perfitojne edhe nje mandat tjeter,asgje me teper.Populli eshte sovrani valid dhe ai vendos me votbesim kujt i beson t”i sherbije,,jo te sundoje e keqperdor besim.