Disa ekspertë paralajmërojnë se sukseset ushtarake të Ukrainës dhe furnizimet e saj me armë nga Perëndimi, do ta vënë Rusinë para një opsioni të vetëm: bombës bërthamore. Kjo është një narrativë false dhe e rrezikshme.
Frika na paralizon. Frika na dobëson. Frika na pengon t’i shohim gjërat qartë. Nuk ka asgjë më të frikshme se një luftë bërthamore me të cilën po na kërcënon përsëri presidenti rus Vladimir Putin, sepse ky do të mund të ishte shkatërrimi ynë, apokalipsi – fundi.
Kjo frikë për ekzistencën e planetit dhe të njerëzimit mund të shprehet me shifra: sipas sondazheve të fundit, më se 58 për qind e amerikanëve kanë frikë se Rusia po shkon drejt një lufte bërthamore, ndërsa në Gjermani kësaj i frikësohen 49 për qind e qytetarëve.
Ka kohë që frika i ka pushtuar politikanët, ushtrinë dhe ekspertët. Për shembull, politikologu dhe njphësi i mirë i Putinit, Gerhard Mangot, nga Universiteti austriak i Insbruck-ut, në televizionin gjerman Deutschlandfunk, paralajmëroi se nëse Ukraina vazhdon të rikthejë territore dhe të furnizohet me armë moderne nga Perëndimi, Putinit do t’i mbetet vetëm “përshkallëzimi bërthamor”, i cili është “gjithnjë e më e mundur”, në qoftë se Rusia detyrohet të mbrohet.
Perëndimi nuk duhet të dorëzohet
Çfarë ka më shumë kuptim se sa të dëshirosh të parandalosh të ndodhë më e keqja? Nëse është e nevojshme, edhe duke i bërë lëshime Putinit? Por kjo do të ishte më e keqi nga të gjitha opsionet. Perëndimi do ta humbte plotësisht betejën me Putinin, në qoftë se do të dorëzohej para shantazhit bërthamor të tij.
Ukraina do të detyrohej të pranonte humbjet territoriale, vendet e Evropës Lindore me të drejtë do të vinin në pikëpyetje mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, kurse NATO-ja do të mund ta hidhte në plehra strategjinë e saj të parandalimit.
Shkurt, Putini do të dilte fitues. Kjo do të thotë se ai do të mund të përdorte përsëri të njëjtën taktikë, thotë historiani amerikan Timothy Snyder nga Universiteti Yale, në artikullin gjerësisht të njohur: “[…] Dorëzimi ndaj shantazhit bërthamor nuk do t’i jepte fund luftës konvencionale në Ukrainë. Në fakt, kjo do t’i bënte më të mundshme luftërat bërthamore në të ardhmen”.
Frika është gjithmonë këshilltar i keq, veçanërisht në situata si kjo. Për t’u rezistuar shantazheve bëthamore nevojitet vendosmëri, unitet dhe forcë. Nëse është e nevojshme, duhet të paralajmërohen edhe me arsenalin vetjak.
Ky refuzim duhet të jetë i besueshëm dhe konsistent, përndryshe çdo gjë tjetër vetmëmsa e trimëron Putinin. Kështu ka ndodhur në vitin 2013, kur presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, tërhoqi një “vijë të kuqe” për përdorimin e armëve kimike në Siri. Por, Perëndimi nuk ndërhyri drejtpërdrejt në luftë, kur këtë vijë e kaloi diktatori Bashar al-Assad, i cili e ka mbështetjen e Rusisë.
Kështu ka ndodhur edhe në vitin 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa Perëndimi vetëm sodiste. Me gjasë, këto dy raste e kanë inkurajuar Putinin ta sulmojë Ukrainën sivjet.
Putini ka shumë për të humbur
Pikërisht frika është ajo që Putini dëshiron të mbjellë me luftën e tij hibride që kombinon armët ushtarake, energjinë dhe dezinformimin. Pavarësisht prej shqetësimeve legjitime nga një katastrofë bërthamore, është e rëndësishme të gjykohet me kokë të ftohtë. Kështu do të kujtojmë se, qysh në fillim të luftës, Putini është kërcënuar se do të përdorë armë, por ai ende nuk ka ndërmarrë hapa për të mobilizuar forcat bërthamore.
Për më tepër, një fuqi bërthamore margjinale nuk do të shtypë aq thjesht butonin e kuq. As Bashkimi Sovjetik dhe as SHBA-ja nuk e bënë këtë gjatë operacioneve të tyre të turpshme përkatësisht në Afganistan dhe Vietnam.
Shpesh neglizhohet një nga arsyet kryesore për këtë: Agresori bërthamor do të jetë automatikisht humbës. As nuk do të mund të bënte asgjë me territorin e kontaminuar dhe as nuk do të kishte më shumë aleatë. Në këtë rast, Kina, India dhe shtetet tjera do t’ia kthenin shpinën Rusisë, gjë që tashmë ka filluar të ndodhë. Edhe në planin e brendshëm, një goditje e tillë ndaj popullit vëlla të cilin duhet të çlironte Rusia do t’i kushtonte presidentit rus me humbje të legjitimitet dhe të mbështetjes.
, sepse ai gjatë gjithë kohësh vazhdon të thotë se po lufton për çlirimin e popullit vëlla ukrainas dhe jo për shfarosjen e tij me apokalipsë atomike.
Pra, mos kini frikë! Vetë Putini ka shumë për të humbur.
(Marrë nga DW)