Prishtinë, 24 gusht 2022 – Kuvendet e katër komunave të banuara me shumicë serbe, në pjesën veriore të Kosovës, të mërkuren, më 24 gusht, miratuan unanimisht një deklaratë, përmes së cilës parashihet largimi i përfaqësuesve politikë të serbëve nga institucionet e Kosovës, nëse nuk arrihet një kompromis për targat e automjeteve dhe dokumentet për hyrje/dalje dhe lëvizje në Kosovë të shtetasve të Serbisë.
“Nëse nuk arrihet një zgjidhje kompromisi, ne përfaqësuesit politikë të serbëve, së bashku me bashkëpunëtorët tanë do të nisim procesin e largimit nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, e deri te gjykatat, policia dhe prokuroria, që shkatërron plotësisht procesin e Brukselit”, tha kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërxhan Milosavleviq.
Deklarata u miratua në seancën e përbashkët të katër komunave ceriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këtë mbledhje morën pjesë liderët e Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë: Goran Rakiq, Igor Simiq e Slavko Simiq, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës që funksionojnë Brenda sistemit të Kosovës, dhe kryetarët e katër organeve të përkohshme komunale që funksionojnë në kuadër të sistemit paralel të Serbisë.
Aty u diskutua për situatën politike e të sigurisë që karakterizohet për tensione të shkaktuara pas vendimeve të qeverisë së Kosovës për targat dhe për letërnjoftimet e lëshuara në Serbi, vendime këto që nga udhëheqësit politikë të serbëve cilësohen si “akte të njëanshme”.
Në deklaratën e miratuar në këtë mbledhje thuhet se Qeveria e Kosovës “po i shkel të drejtat e komunitetit serb dhe po pamundëson krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Aty thuhet gjithashtu se autoritetet e Kosovës,me veprimet e tyre, “po e cenojnë” paqen dhe sigurinë e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë.
D y ditë më parë, më 22 gusht, Lista Serbe ishte kërcënuar se përfaqësuesit e saj do të largohen nga institucionet e Kosovës, nëse nuk do të gjendet një zgjidhje “kompromisi” për çështjen e targave dhe të dokumenteve identifikuese të lëshuara në Serbi.
Serbët e Kosovës përfaqësohen nga përfaqësues të Listës Serbe, partisë që kontrollohet nga Beogradi, pothuajse në të gjitha institucioneve e Kosovës dhe në organet e përkohshme të Serbisë në komunat me shumicë serbe.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe përdokumentet personale të identifikimit shkaktuan pakënaqësi në mesin e serbëve të Kosovës. Më 31 korrik disa grupe të serbëve vendosën barrikada në rrugët që shpien në vendkalimet kufitare me Serbinë, në jarinjë dhe në Bërnjakë, duke bllokuar kështu lëvizjen në këto rrugë. Barrikadat u hoqën pasi Qeveria e Kosovës, me sugjerimin e SHBA-së dhe BE-së, pezulloi deri më 31 gusht zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet identifikuese.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel, më 18 gusht, për të gjetur zgjidhje që do të mundësonte uljen e tensioneve midis Kosovës e Serbisë, por në këtë takim nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Në përpjekje për t’i bindur palët që të gjejnë zgjidhje, të martën në Prishtinë arriti i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa të mërkurën arriti edhe i dërguari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Escobar e Lajçak do të shkojnë edhe në Beograd, me qëllim që të sigurojnë një zgjidhje që do të ndikonte në uljen e tensioneve midis Kosovës e Serbisë.
Ndërkohë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ia kanë besuar atij zgjidhjen e çështjes së targave dhe çështjes së dokumenteve të identifikimit. Ai ka thënë se do të insistojë që për automjetet e serbëve të Kosovës të kthehen targat neutrale ndaj statusit, KS, dhe që dokumentet shtesë për hyrje-dalje në Kosovë të mos aplikohen për serbët e Kosovës.
Ndërkaq, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se të dyja këto kërkesa të Vuçiqit janë të parealizueshme. Ai ka theksuar se për serbët nuk mund të ketë standarde të ndryshme prej atyre për shqiptarët e të tjerët.
Kurti ka përsëritur edhe një herë se Kosova është e gatshme të heqë dokumentet shtesë për hyrje/dalje dhe lëvizje të shtetasve të Serbisë, në aqoftë se Serbia ee bën të njëjtën gjë për shtetasit e Kosovës.
(r.m.)