Bruksel, 18 gusht 2022 – Në Bruksel ka përfunduar takimi i dytë i liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Joseph Borrell e Miroslav lajçak.
Para këtij takimi, Borrell e Lajçak kanë biseduar ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin, pasi takimi i pare trepalësh nuk ka dhënë asnjë rezultat.
Por, as pas takimit të dytë trepalësh nuk u panë shenja se Kurti e Vuçiq kanë arritur ndonjë marrëveshje,
Vuçiq është larguar nga ndërtesa e BE-së menjëherë pas përfundimit të takimit, pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, u ka thënë gazetarëve se Vuçiqi do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se publikut do t’i drejtohet të premten, më 19 gusht.
“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje me kompromis”, ka thënë Petkoviq, pa dhënë ndonjë detaj lidhur me temat e bisedimeve.
Më herët, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.
Kjo është hera e tretë që Kurti dhe Vuçiqi takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Dy takimet e para, në qershor dhe në korrik të vitit të kaluar, nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Në ndërtesën e BE-së ku u zhvilluan takimet qëndronte edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja i mbështet përpjekjet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
(r.m.)