Përfundon mandati i drejtueses së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj

Tiranë, 1 shtator 2025 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi të hënën më 9 shtator të deklarojë të përfunduar mandatin e drejtores së Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, Aida Hajnaj. Pasi në këshill u lexua relacioni për mbarimin e mandatit ligjor të Hajnajt më datë 31 gusht, u propozua po ashtu që të deklarohej përfundimi i mandatit më datë 1 shtator. Ky propozim u hodh poshtë nga gjashtë prej anëtarëve të KLP-së, kryetarja Mirela Bogdani dhe anëtarët Ledina Riza, Arta Mandro, Zeqir Hoda, Erion Fejzulla e Vatë Staka, të cilët vendosën përfundimin e mandatit më 31 gusht. Në pakicë mbetën anëtarët Sokol Stojani, Erind Mërkuri, Erind Gërmenji dhe Olger Eminaj.

Aktualisht BKH mbetet pa drejtues, ndërkohë që postin e zëvendësdrejtuesit e mban Joni Keta, i cili është dhe një prej shtatë kandidatëve që janë në garë për pozicionin që mbante Hajnaj.

Në muajin prill, Prokuroria e Posaçme, SPAK nisi procedurën e riemërimit të Hajnajt si drejtuese e BKH-së, pasi ajo shprehu interesin për një mandat të dytë 5-vjeçar më 28 mars. Por, më 13 maj SPAK njoftoi se Hajnaj nuk do t’i nënshtrohej procedurës së riemërimit, pasi ndonëse shfaqi interes për një mandat të dytë, nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes. Për rrjedhojë, u hap gara e re për të gjithë të interesuarit.

Nga 13 kandidatët që aplikuan për pozicionin e drejtorit të BKH-së, për në fazën e verifikimit të pasurisë e pastërtisë së figurës u kualifikuan prokurori Andi Pogaçe; dy hetuesit e BKH-së Elton Kërluku dhe Joni Keta; si dhe funksionarët e Policisë së Shtetit, Gentian Ndoi, Gentian Shehaj e Gledis Nano.

(Reporter)