Përfundon ndërtimi i portit të përkohshëm në Gazë

Gazë, 8 maj 2024 – Ushtria amerikane ka përfunduar ndërtimin e skelës lundruese në Gazë, e cila do të përdoret për dërgimin e ndihmave për civilët palestinezë, por kushtet e motit po e bëjnë të pasigurt zhvendosjen e objektit me dy pjesë në vendin e duhur, tha Pentagoni të martën.

Porti i përkohshëm, të cilin ushtria amerikane filloi ta ndërtonte muajin e kaluar dhe e cila do të kushtojë të paktën 320 milionë dollarë, synon të rrisë dërgesat e ndihmave humanitare për civilët e zhvendosur në Rripin e Gazës. Operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hamasit, që filluan shtatë muaj më parë kanë shkatërruar një pjesë të madhe të shtëpive dhe infrastrukturës në Rripin e Gazës.

“Që nga sot, ndërtimi i dy pjesëve të skelës lundruese JLOTS dhe skelës Trident, ka përfunduar dhe tani jemi në pritje të dislokimit të tyre në det”, tha për gazetarët zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh.

“Sot parashikohen erëra të forta dhe valë të larta deti, duke e bërë të pasigurt lëvizjen e komponentëve të portit të përkohshëm. Kështu që seksionet e skelës dhe anijet ushtarake të përfshira në ndërtimin e tyre janë ende të pozicionuara në portin e Ashdodit në Izrael”, tha zëdhënësja Singh.

Komanda Qendrore amerikane “është në gjendje gatishmërie për të zhvendosur skelën në pozicion e saj në të ardhmen e afërt”, shtoi ajo.

Anijet dhe skela në ndërtim e sipër u zhvendosën në port për shkak të motit të keq javën e kaluar. Pas përmirësimit të motit, porti i përkohshëm do të ankorohet në bregun e Gazës nga ushtarët izraelitë, duke i mbajtur trupat amerikane larg territorit të Rripit të Gazës.

Ndihma do të transportohet më pas nëpërmjet anijeve tregtare në një platformë lundruese në brigjet e Gazës, ku do të transferohet në anije më të vogla, të cilat më pas do të ankorohen në skelën lundruese dhe në fund ndihmat do të shpërndahen nga porti me kamion.

Planet për skelën u njoftuan për herë të parë nga Presidenti amerikan Joe Biden në fillim të marsit pasi Izraeli ndaloi dërgesat e ndihmave nga toka. Trupat dhe anijet e ushtrisë amerikane u nisën më pas drejt Mesdheut për të filluar ndërtimin e portit të përkohshëm.

Rreth dy muaj më vonë, situata humanitare në Rripin e Gazës mbetet e rëndë. OKB-ja tha të martën se Izraeli i kishte mohuar hyrjen në vendkalimin kufitar në Rafah, pika kyçe e hyrjes për ndihmat humanitare në Rripin e Gazës.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*