Përfundon pa marrëveshje edhe një takim mes Kurtit e Abdixhikut

Prishtinë, 5 gusht 2026 – Ka përfunduar pa marrëveshje edhe takimi i sotëm i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

Kurti e Abdixhiku janë takuar pas mbledhjes që pati Grupi Parlamentar i LDK-së, ku u diskutua për partneritetin e mundshëm të këtyre dy partive në formimin e institucioneve. 

“Nuk kemi lajme, përderisa s’kemi marrëveshje. Po, kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, tha Kurti pas takimit.

Ky ishte takimi i dytë i dy liderëve të dy partive brenda dy ditësh. Edhe në takimin e djeshëm, i cili  zgjati rreth tri orë, nuk rezultoi me marrëveshje politike për krijimin e institucioneve dhe ndarjen e përgjegjësive.

Sipas deklaratave të djeshme të Kurtit dhe Abdixhikut, pengesë për arritjen e një marrëveshjeje mbetet pozita e presidentit të vendit.

Kurti bëri të ditur se Lëvizja vetëvendosje insiston që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë “jopolitike”.

“Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sa i përket presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Unë nuk mund të sjell emër konkret, sepse ai do të duhej të ishte konsensual, gjithpërfshrës, të mos ishte i LVV-së”, deklaroi Kurti.

Ndërsa sipas deklaratës së Abdixhikut, pozita e presidentit duhet t’I takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, u shpreh ai.

Pavarësisht mungesës së një ujdie, të dy palët e kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas deklaratëve të liderëve të tyre, nuk dëshirojnë që vendo të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.

Por, në qoftë se palët nuk arrijnë marrëveshje për çështjet kyçe, përfshirë atë për pozitën e presidentit, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, me që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca refuzojnë të bashkëpunojnë me Lëvizjes Vetqëvendosje. PDK-ja ka vendosur të qëndrojë në opozitë, kurse Aleanca i ka shtruar disa kushte, të cilat as nuk janë shqyrtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ftuar për nesër në orën 10:00. Në këtë seancë pritet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me partitë e komuniteteve joserbe dhe partinë e Nenad Rashiqit, i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si edhe për zgjedhjen e qeverisë.

Por, asdaj i duhet edhe mbështetja e së paku 17 deputetëve për ta zgjerdhur presidentin e ri të vendit. Kuvendi ka 45 ditë afat për zgjedhjen e presidentit. Në qoftë se presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati kushtetues, kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje.

(r.m.)

Comment

*