Përgatitjet e fundit për protestën e opozitës në Tiranë

Tiranë, 11 korrik 2024 – Drejtuesit dhe aktivistët e opozitës në Shqipëri kanë nisur përgatitjet e fundit për protestën që do të zhvillohet sot (e enjte) në orën 20:00. Para ndërtesë së Kryeministrisë ka filluar vendosja e platformës nga e cila drejtues e përfaqësues të opozitës do të shprehin qëndrimet ndaj qeverisë e qeverisjes, sidomos ndaj Kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësojnë si kreun e të keqes në Shqipëri.

Ndërkohë, në degët e subjekteve opozitare në rrethe janë bërë përgatitjet për transportimin në Tiranë të anëtarëve e simpatizaktëve të tre, si edhe të qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen e vendit.

Por, ndërkohë kanë filluar edhe përgatitjet e organeve të rendit për mbarëvajtjen e protestës.

Burime nga policia e shtetit kanë bërë të ditur se për mbarëvajtjen e protestës do të përkujdesen mbi 1200 forca të policisë, përfshirë Policinë e Rendit, Repartin “Shqiponja” dhe Forcën e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sipas burimeve, shpërndarja e pjesëtarëve të policisë pritet të jetë e ngjashme me atë të protestave të mëparshme të opozitës. Përballë protestuesve, përgjatë perimetrit të Kryeministrisë, do të vendoset një kordon i pjesëtarëve të policisë së rendit dhe pjesëtarëve të repartit Shqiponja, ndërsa në prapavijë do të qëndrojnë në gatishmëri pjesëtarët e FNSH-së. Në gjendje gatishmërie do të jenë edhe forcat RENEA-s. Në terren do të jenë edhe agjentët civilë që do të monitorojnë mbarëvajtjen e protestës dhe sjelljen e protestuesve.

Para ndërtesës së Kryeministrisë do të vendosen edhe kamera sigurie me rezolucion të lartë, në mënyrë që policia të ketë një panoramë të gjerë të protestës dhe të veprimeve të protestuesve.

Policia do të ketë në dispozicion edhe autobotë me ujë, të cilët do të përdoren në rast se do të ketë nevojë për shpërndarjen e protestuesve.

Dyert e ndërtesës së Kryeministrisë janë blinduar me veshje metalike, për të parandaluar thyerjen dhe hyrjen eventuale të protestuesve.

Policia ka njoftuar se prej orës 18:00 deri në përfundim të tubimit do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët qendrore të Tiranës (Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”). Policia ka kërkuar qytetarëve që të përdorin rrugë alternative.

Ndërkaq, protestuesve u ka bërë thirrje që të distancohen nga çdo akt që do të cenonte sigurinë dhe jetën e tyre, si edhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të policisë, ndaj përfaqësuesve të mediave apo ndasj vetë pjesëmarrësve në protestë.

(r.m.)