Përgjithmonë i ri, i dashur, dhe në zemrat tona

Nderimi i bukur i Flotës Amerikane për oficerin e ndjerë shqiptaro-amerikan Fatmir Ferizaj  (27 mars 1983 – 15 tetor 2023)

 

Nga Ruben Avxhiu

Programi i Yllit të Artë të Flotës Amerikane ka nderuar këtë javë oficerin e ndjerë shqiptaro-amerikan Fatmir Ferizaj, i cili pas pak ditësh do të mbushte 42 vjeç. Më poshtë vijon teksti i botuar në faqen e tyre në Facebook.

“Fatmir Feriza ishte më shumë sesa një Oficer i Rangut të Flotës së SHBA-së – ai ishte një emigrant krenar nga Kosova, i cili e shihte shërbimin e tij si një borxh mirënjohjeje. I rritur në gjatë Luftës së Kosovës, ai nuk e harroi kurrë rolin që luajtën forcat amerikane në mbylljen e konfliktit. Inkuadrimin në Flotën Amerikane e ndjeu si urgjente, si një kushtrim, si një borxh të fundit, si një mundësi për të dhënë mbrapsh për paqen që siguroi familja e tij.

Fatmiri shërbeu me nder në bordin e [anijes ushtarake] “USS Theodore Roosevelt” dhe më së fundi të “USS Gerald R Ford”. Ai solli ngrohtësi me ndjenjën e tij të humorit sarkastik, dhe besnikërinë e tij të patundur ndaj shokëve të anijes dge gjithkujt që e rrethonte.

Ai ishte një bir i dashur, vëlla, bashkëshort, si dhe baba i devotshëm i djalit të tij Arbër. Muajt e fundit të jetës i kaloi në gjirin e familjes, duke mos e humbur deri në fund shpresën, mirësinë, apo humorin që e karakterizonte.

Kujtimi i tij vijon të na udhëheqë dhe frymëzojë. Përherë i ri. Përherë i dashur. Përherë në zemrat tona. Përherë pjesë e familjes së Flotës”.    

Me qendrën Washington, Programi i Yllit të Artë nderon oficerët që kanë humbur jetën gjatë shërbimit dhe kujdeset për familjet e tyre.

Në një mesazh falenderimi për Programin e Yllit të Artë, vëllai i tij, veprimtari i komunitetit tonë Ferik Ferizaj shkruan se “…më merr malli për të çdo ditë 💔, por mbetem përgjithmonë mirënjohës për kohën që kaluam dhe kujtimet që krijuam së bashku. Mungesa e tij ndjehet thellësisht por ngushëllohemi nga bindja se trashëgimia e tij jeton – përmes homazheve të tilla me zemër dhe momentet e bukura që nuk i harrojmë.”

Flota nuk është e vetmja që po kujtohet për oficerin nga Kosova në javën e ditëlindjes së tij. Në prag të festes së “Memorial Day” apo Ditës së Përkujtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, Komuna e Babylonit, Long Island, New York, ka nderuar kujtimin a Fatmirit duke vendosur pankartën e tij përgjatë rrugës kryesore të qytetit — Deer Park Avenue — në kryqëzimin me Long Island Avenue. Është dëshmi e gjurmëve të pashlyeshme që la Fatmir edhe në vendin ku banonte e ku ngriti familjen e tij të re.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

 

Comment

*