Përgjysmohen gjasat për të fituar azil politik në Gjykatat e Emigracionit

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kiearn Both

Avokati Kieran Both

Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, është përgjysmuar numri i rasteve të miratimit të kërkesave për azil politik nga Gjykatat e Emigracionit. Për shkak të pezullimit të përkohshëm të punës së qeverisë, të dhënat më të fundit mbi kërkesat për azil politik mbulojnë periudhën deri në fund të gushtit 2025. Gjatë gushtit 2025, u miratuan vetëm 19.2 për qind e kërkesave për azil politik. Një vit më parë, në gusht 2024, përqindja e numrit të rasteve të miratuara ishte 38.2.

Vërtet retorika mbi emigracionin ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin nga administrata e mëparshme e presidentit Biden te administrata aktuale e presidentit Trump, por rëniet në numrin e kërkesave për azil të miratuara nën Presidentin Trump, në fakt, kanë qenë vazhdim i një prirjeje që pati nisur që në kohën e Presidentit të mëparshëm Biden. Vitin e kaluar, siç theksohej në raportin vjetor të TRAC-ut, miratimi i kërkesave për azil politik, gjatë seancave dëgjimore individuale përpara gjyqtarëve të emigracionit, po bëhej gjithnjë e më i rrallë. Një rënie e tillë erdhi duke u përkeqësuar me ardhjen në pushtet të administratës së Presidentit Trump.

Megjithatë, administrata e presidentit Trump rriti në mënyrë të ndjeshme ritmin me të cilin po merreshin vendimet për kërkesat për azil politik. Gjatë muajve prill dhe maj 2025, numri i vendimeve të marra për këto kërkesa arriti kulmin me mbi 12,000 çështje të përfunduara, krahasuar ky me rreth 6,000–7,000 çështje gjatë kohës së presidentit të mëparshëm Biden. Që atëherë, numri mujor i vendimeve të marra për kërkesat për azil ka rënë me 25 për qind të kulmit të tij. Në gusht 2025, përfunduan gjithsej 9,269 çështje azili politik.

Presidenti Trump gjithashtu ka larguar nga detyra disa gjyqtarë të emigracionit. Nuk dihet numri i saktë i këtyre largimeve. Megjithatë, rrjeti i pavarur mediatik amerikan NPR ka të dokumentuar të paktën një numër prej 70 gjyqtarësh të Emigracionit të cilët kohët e fundit kanë marrë njoftimin për largim nga detyra. Gjithashtu, Presidenti Trump dallohet si i vetmi që nuk ka punësuar asnjë gjyqtar të ri Emigracioni gjatë vitit fiskal 2025. Megjithatë, në rritjen e numrit të çështjeve të përfunduara të azilit ka luajtur rol punësimi i 18 gjyqtarëve të rinj të Emigracionit gjatë tremujorit të parë të vitit fiskal 2025, kur Presidenti Biden ishte ende në detyrë.

Më 24 tetor 2025, Zyra Ekzekutive për Rishikimin e Çështjeve të Emigracionit (EOIR) njoftoi emërimin e përkohshëm të 25 oficerëve ushtarakë që shërbenin më parë si avokatë në ushtri (JAG), si dhe emërimin e 11 gjyqtarëve të tjerë të përhershëm të Emigracionit.

Norma e suksesit të një kërkese për azil vazhdon të ndryshojë ndjeshëm nga një gjyqtar emigracioni tek tjetri. Vazhdojnë të vërehen ndryshime të mëdha në përqindjen e rasteve të miratuara të kërkesave për azil në shumë gjykata emigracioni, sic tregojnë dhe raportet më të fundit të TRAC-ut mbi gjyqtarët e imigracionit. Këto raporte të reja përditësojnë të dhënat mbi vendimet që secili gjyqtar ka dhënë për kërkesat për azil gjatë gjashtë viteve të fundit deri në gusht 2025. Secilin prej raporteve më të fundit me të dhënat mbi gjyqtarët e emigracionit mund ta gjeni në faqen publike të TRAC-ut.

Në këtë seri të përditësuar raportesh, dallimi më i madh mes përqindjeve të rasteve të miratuara dhe jo të miratuara të azilit u gjet në Gjykatën e Emigracionit të San Franciskos. Aty, përqindja më e lartë e miratimit ishte 97.1% dhe më e ulëta 4.8% pra një diferencë prej më shumë se 90 pikë përqindjeje. Gjykata e Emigracionit të Nju Jorkut renditej menjëherë pas saj, me një diferencë prej pothuajse 90 pikë përqindje. Në Nju Jork, përqindja më e lartë e rasteve të miratimit të azilit ishte 92.4%, krahasuar me atë më të ulët prej vetëm 2.6%. Gjykata e Emigracionit të Bostonit kishte diferencën e tretë më të lartë midis përqindjes më të lartë dhe asaj më të ulët të miratimit nga gjyqtarët. Në gjykatën e Bostonit, normat e miratimit ndryshonin me 85.4%. Në vend të katërt dhe të pestë për nga diferenca midis këtyre përqindjeve për gjyqtarë të veçantë ishin Gjykata e Emigracionit e Sakramentos me një interval prej 84.2% dhe Gjykata e Emigracionit e Arlingtonit me një interval prej 84.1%.

Informacioni sa më lart ofrohet nga TRAC (Transactional Records Access Clearinghouse). TRAC është një projekt kërkimor të dhënash, i një natyre jo-fitimprurëse dhe jo-partiake, i themeluar në vitin 1989. Faqja e tij publike është zhvendosur nga trac.syr.eduhttps://tracreports.org/

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com

Comment

*