Përkeqësim i gjendjes së lirisë së medies në Kosovë

Prishtinë, 3 maj 2021 – Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias, e cila shënohet më 3 maj, e gjen Kosovën me liri të përkeqësuar të medias.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë se liria e shtypit në Kosovë është përkeqësuar vitin e fundit. Sipas saj, përkeqësimi është pasojë e pandemisë COVID-19, vështirësive financiare dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve që mbesin të pandëshkuara.

Kusari vlerëson se në përkeqësimin e gjendjes në lirinë e medies ka ndikuar qasja e pushtetit ndaj medias. Ajo thotë se këtë e dëshmon edhe ndërhyrja flagrante e policisë dhe prokurorisë në portalin “Insajderi”, me ç’rast është shkelur edrejta e gazetarëve për mbrojtjen e burimeve të tyre të informacionit.

Por, sipas saj, problem kryesor i medieve në Kosovë është mungesa e qëndrueshmërinë financiare.

“Besoj që problemi kryesor te ne është mungesa e vetqëndrueshmërisë financiare, për të cilën ende nuk po munden mediat të gjejnë zgjidhje – përgjegjësi këtu ka edhe shteti – dhe pastaj, prej asaj rrjedhin plot probleme të tjera, si vetcensura, kualiteti i dobët i raportimeve dhe të tjera”, thotë Kusari.

Zonja Kusari thekson nevojën për hartimin e strategjisë kombëtare për mbrojtjen e gazetarëve,e cila,sipas saj, duhet të bazohet në dy shtylla: në sigurinë e gazetarëve dhe në reduktimin e abuzimeve në mediet online.

“Në qoftë se një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë kjo do të ishte një indikator shumë i mirë se pushteti i ri është i interesuar që, së pari, të mos përkeqësohet gjendja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave dhe, së dyti, të përmiësohet kjo gjendje”, thekson Kusari.

Flutura Kusari

Ajo parlajmëron se në rast se Qeveria e Kosovës vazhdon të mos bëjë asgjë për ta përmirësuar gjendjen e lirisë së mediave, Kosova do të përfundojë në listën e vendeve ku të bërit gazetari lirshëm është pothuajse e pamundur.

Në raportin e fundit të Reporterëve pa kufij për lirinë e shtypit për vitin 2020, të publikuar më 20 prill, Kosova është renditur në pozitën e 78-të, tetë pozita më keq se vitin paraprak.

Edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020, në pjesën ku flitet për lirinë e shprehjes dhe për mediat në Kosovë, thuhet se ka raporte të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, janë përpjekur t’i frikësojnë përfaqësuesit e medias.

(r.m.)