Përleshje fizike mes PDK-së dhe LVV-së në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 13 korrik 2023 – Një incident i rëndë ndodhi sot (e enjte) në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kohës që kryeministri Albin Kurti, po raportonte për situatën në pjesën veriore të Kosovës, në foltoren e Kuvendit, ai është sulmuar fizikisht nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Deputetët e PDK-së kishin vendosur në foftoren e Kuvendit dhe në tryezën e kryeministrit një fotomontazh të Kurtit me hundë të Pinokios e me mbishkrimin “Zdravo”, që në gjuhën serbe do të thotë “Përshëndetje, ndërsa fjalën e kryeministrin e ndërprenë disa herë duke brohoritur “rrenc, rrenc, rrenc…”.

Në çastin që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i hoqi dhe i grisi afishet fyese, deputeti Mërgim Lushtaku e sulmoi me ujë nga afërsia kryeministrin, ndërsa zëvendës-kryeministri Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, iu kundërpërgjigjën Lushtakut duke marrë në mbrojtje kryeministrin. Kjo çoi në agravimin e situatës dhe në përplasje fizike midis deputetit Lushtaku dhe ministrit Murati, e pasatj në përplasje u përfshin edhe deputetë të tjerë të PDK-së dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ndërhyri për të ndërprerë përleshjet. Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ndërpreu seancën, duke shpallur një pauzë 30 minutëshe. 

Para se të sulmohej, Kurti foli në Kuvend foli për një bisedë të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me ish-shefin e grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili është person në kërkim nga autoritet e drejtësisë në Kosovë dhe në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Opozita në Kosovë është hedhur në sulm ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj Qeverisë dhe ndaj Kryeministrit Kurti, pas publikimit të regjistrimit të bisedës së Mimoza Kusari-Lilës me Radoiçiqin. Nga opozita janë shprehur edhe dyshime se Qeveria Kurtit kishte ushtruar ndikimin e saj të autoritetet e drejtësisë për të tërhequr një fletarrest ndaj Radojçiqit.

Në seancë, Kurti tha se fletarresti ndaj Radoiçiqit ishte tërhequr në vitin 2021, disa dite para se të formohej qeveria e tij, ndërsa ish-drejtuesit e qeverive të mëparshme i akuzoi për raporte të afërta me Radoiçiqin.

“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, tha Kurti në seancën e sotme para se ajo të ndërpritej.

Nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili konsiderohet njëri ndër njerëzit më me ndikim te serbët në Kosovë për shkak të afërsisë së tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është person në kërkim në Kosovë si i dyshuar për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor “Brezovica”. Në aktakuzën ndaj të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, ai përmendet si “udhëheqës të grupit kriminal” që e ka planifikuar dhe organizuar vrasjen. Megjithatë, urdhërarresti ndaj tij ishte tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021.

(r.m.)