Përmbytje dhe mungesë dritash në Shqipëri

410 ha tokë nën ujë në Lezhë – probleme me energjinë në Elbasan – 20 shtëpi të përmbytura në Durrës

410 hektarë tokë ndodhen nën ujë në qarkun Lezhë. Në Orosh ka prezencë dheu në rrugë, ndërsa ka prani uji  në fshatin Gjorem dhe në Shullaz. Në qarkun Elbasan ka pasur probleme me energjinë elektrike në Librazhd e Stravaj të Përrenjasit. Në qarkun Durrës rreth 300 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë në zonat rurale, ndërsa uji ka vërshuar brenda 20 shtëpive që ndodhen pranë lumit Erzen.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, lumenjtë janë në kuotat e tyre normale, akset rrugore janë të qarkullueshme, ndërsa grupet e punës vazhdojnë në teren për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

“Në bashkinë Mirditë, në afërsi të qytetit Rrëshen forcat po punojnë për riparimin e një segmenti rruge, të dëmtuar nga prurjet e shumta të përroit të Zmejës. Në fshatin Lgjin, njësia administrative Orosh, fadromat e bashkisë janë duke punuar për pastrimin e rrugës. Është mundësuar qarkullimi normal në fshatin Bogë, në njësinë administrative Shkrel, ku pati vërshim të përroit të Bogës. Po ashtu ndërhyrja në kohë normalizoi situatën që u krijua për shkak të prurjeve të përroit të Çullos në Gjirokastër si dhe në lagjen “Lenxat”, në Lazarat si pasojë e prurjeve të përroit të Sopotit.”

Sipas të dhënave të Intitutit të Gjeoshkencës si dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet i vranët me intervale të pakta e kthjellime, reshje shiu të herë pas hershme me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonën e veriut dhe pjesërisht në zonën e qendrës reshjet hera – herës do të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në lartësitë mbi 800-900 në verilindje  dhe juglindje reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.

Në Bashkinë Lezhë

Në Njësitë Administrative Blinisht dhe Dajç ujë është tërhequr dhe nuk ka sipërfaqe të përmbytur. Në Njësinë Administrative  Zejmen deri në këto momente janë të përmbytura rreth 30 ha, në Tresh. Në Nj.Adm Balldren deri tani raportohen rreth 200 ha tokë të përmbytur në njësinë administrative Balldren, ish Këneta e Torovicës. Në hidrovorin  Balldre kuota -1.8 m nga – 1.5 kuote kritike. Në hidrovorin  Tale kuota -0.7 m nga -1.0 kuota kritike.

Në Bashkinë Kurbin

Nga informacionet e mbledhura sot në mëngjes, si dhe nga monitorimi i situatës ne terren, situata në territorin e Kurbinit është e qetë. Sasia e reshjeve të rëna nga ora 5 e mbrëmjes së djeshme e deri sot në orën 7 është rreth 45 mm, por që nuk ka shkaktuar problematika. Hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë dhe furnizimi me energji ka qenë normal. Niveli i ujërave, kryesisht në KUL, ka qenë në ulje, duke sjellë minimizimin e riskut për të dalë jashtë argjinaturës. Edhe uji, i pranishëm në oborret e familjeve të prekura dje, është tërhequr duke sjellë kështu normalizimin e situatës.

Që prej ditës së djeshme, në gjithë pikat e rrezikut, vazhdojnë punën për pastrimin e kanaleve dhe përforcimin e pikave të dobëta të argjinaturave, 6 mjete të rënda, 3 të  Bordit të Kullimit dhe 3 të Bashkisë Kurbin. Shkarkimi i bërë nga hidrc.i Ulzës dhe Shkopetit, pavarësisht sasisë së reshjeve të rëna, nuk shkaktoi fryerje të rrezikshme të lumit Mat.

Në zonën Kurbin ka probleme në KUL Mamurras dhe KUL Kurbin me kuotat e larta dhe dalje e ujit në anën e sipërme të tyre në fshatin Gjorem dhe në Shullaz. Ka rreth 210 ha tokë bujqësore të përmbytura në ish kënetën Gjonem e cila kullon nëpërmjet hidrovorit Shllinza. Në hidrovorin Shllinza kuota -0.35 m nga -0.5 m, që është kuota kritike. Në hidrovorin Droje kuota +0.1 m nga 0.00 m kuota kritike nuk ka sipërfaqe  të përmbytura, në pjesën që kullon nëpërmjet këtij hidrovori.

Në bashkinë Mirditë

Pas komunikimit me kryetaret e Nj.A Mirditë nuk raportojnë problematika. Në fshatin Lgjin, Nj.A Orosh ka prezencë dheu në rrugë, fadromat e bashkisë janë në vendngjarje dhe po punojnë për kthimin në normalitet  të rrugës.

Situata e reshjeve në Elbasan, probleme me energjinë në disa zona

Reshjet e shiut në Elbasan kanë qenë me intensitet të lartë në të gjithë qarkun, por nuk ka pasur probleme. Akset rrugore janë të hapura dhe furnizimi me energji elektrike ka qenë i plotë, përveç njësisë administrative të bashkisë Librazhd e Stravaj në bashkinë Prrenjas. Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë nuk ka pasur përmbytje në banesa ose në tokat bujqësore.

Situata në Durrës/ Asnjë prej familjeve të përmbytura nuk është evakuar, 20 shtëpi nën ujë

Rreth 300 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë në zonat rurale të Durrësit, ndërsa uji ka vërshuar brenda 20 shtëpive që ndodhen pranë lumit Erzen. Shtëpitë me prani uji brenda tyre ndodhen në lagjen Stalla të fshatit Vadardh, në krah të lumit Erzen. Asnjë prej familjeve të prekura nga përmbytjet natën e kaluar nuk është evakuuar në konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, pasi disa prej tyre kanë shkuar tek të afërmit dhe të tjerë tek fqinjët e tyre. Sipërfaqja e përmbytur në tokë bujqësore përllogaritet rreth 300 hektarë, kryesisht në fshatrat Vadardh, Rrushkull, Perlat dhe Hamallaj. Ndërkohë, sipas autoriteteve vendore ura e Shënepremtes që lidh Sukthin me Katundin e Ri është e pakalueshme nga mjetet, ndërsa ura e Jubës është e kalueshme pasi niveli i ujit ka rënë ndjeshëm. (Top Channel)