Kabul, 23 gusht 2021 – Udhëheqësit talibanë kanë filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re të Afganistanit. Njëkohësisht, ata po përpiqen të konsolidojnë kontrollin e tyre në Kabul dhe të vendosin rendin dhe ligjin në mbarë vendin.
Por, në një rajon verior talibanët po sfidohen nga luftëtarët muxhahedinë të cilët refuzojnë të njohin pushtetin e talibanëve.
Agjencitë e lajmeve raportojnë se pjesëtarë të forcave të sigurisë qeveritare janë mbledhur në Luginën Panjshir, në veri të kryeqytetit, në përpjekje për formimin e Frontit të Rezistencës Kombëtare (NRF).
Zëvëndëspresidenti i Afganistanit, Amrullah Saleh, i cili është i strehuar në këtë zonë tha se militantët talibanë kanë grumbulluar forca në hyrje tërajonit të Panjshirit.
Njëri nga drejtuesit e NRF-së është Ahmad Masud, djali i komandantit të famshëm anti-sovjetik dhe anti-taliban, Ahmad Shah Masud.
Masud tha të dielën se ai shpreson se do të zhvillohen bisedime paqësore me lëvizjen islamike.
“Ne duam t’i bindim talibanët se negociatat janë e vetmja rrugë”, tha ai.
Por, ai ka theksuar se forcat e NRF-së në Panjshir janë gati të luftojnë kundër talibanëve.
Zëdhënësi i NRF-së, Ali Maisam Nazary, ka thënë se grupi është i përgatitur për një “konflikt afatgjatë”.
Sipas disa raportimeve, talibanët po dërgojnë qindra luftëtarë në këtë rajon, për të vendosur kontrollin edhe atje.
(r.m.)