Përurohet kompleti i veprave të Xhemail Mustafës

Prishtinë, 1 dhjetor 2025 – Të hënën, në Prishtinë u bë promovimi solemn i kompletit të veprave të shkrimtarit, gazetarit, publicistit e politikanit të ndjerë, Xhemail Mustafa.

Në këtë komplet, të përgatitur për botim nga shkrimtari, sociologu e publicist i njohur, Ibrahim Berisha, janë përfshirë pesë vepra të Xhemail Mustafës: “Një lutje për Prishtinën”, “Mrekullia e shkrimit”, “Metafora e absurdit”, “Triumfi i mendjes” dhe “Iluzionet e politikës”.

Shkrimtari Sali Bashota, në fjalën e hapjes, tha se Xhemail Mustafa ka dhënë një kontribut të madh në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ndër të tjera, ai e veçoi ditarin e luftës “Një lutje për Prishtinë”, të cilin e vlerësoi si njërën ndër veprat më të mira të këtij zhanri në Kosovë.

“’Një lutje për Prishtinën’ është ndër veprat më të rëndësishme publicistike, e cila e pasqyron luftën në të gjitha dimensionet e saj: aktualitetin e kohës, dhimbjen, tmerrin, vetminë dhe përjetimet e tij personale me të gjitha trajtat e format e saj”, tha Bashota.

Ibrahim Berisha tha se Xhemail Mustafa ishte “një zë i arsyes dhe etikës, një zë i qëndrueshmërisë, një qytetar aktiv me ndikim që i mbrojti fuqishëm pikëpamjet e qëndrimet e tij, duke qëndruar larg vulgaritetit dhe përplasjeve banale”, tha Berisha.

Berisha tha se integriteti i lartë moral dhe pikëpamjet e qëndrimet e tij konsekuente e bënë Xhemail Mustafën një figurë shumë të rerspektuar edhe në skenën politike të Kosovës.

“Ishte inicues dhe themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëri nga ideologët e saj të parë, këshilltar i besueshëm i Presidentit Ibrahim Rugova. Ai e gëzoi jo vetëm besimin e Presidentit, por edhe respektin e lartë të njerëezve të të gjitha shtresave, bindjeve e profesionëve, në Kosovë dhe jashtë saj”, u shpreh Berisha.

“Me shkrimet dhe punën e tij krijoi vlera të reja të rezistencës aktive në shtetin e Kosovës kundër okupimit serb, në vitet 1990”, theksoi ai.

Edhe Berisha e veçoi ditarin e luftës “Një lutje për Prishtinën”.

“Ky është libri më i mirë për njeriun dhe dramën personale dhe kolektive te familjeve urbane në stinën tragjike për Kosovën, në pranverën e vitit 1999”, theksoi ai.

Berisha kujtoi edhe komunikimet e tij të fundit me Xhemën. Ai tregoi se në takimin e tyre të fundit kishin biseduar për dimensione të ndryshme të letërsisë.

“… Një ditë para se ta vrisnin, biseduam për [Paulo] Coelhon dhe [Ernesto] Sabaton, për ‘Kodrën e pestë’ dhe ‘Tunelin’. Ai fliste me pasion për personazhet biblike, njësoj si për ato ekzistencialiste. Ai thoshte se ‘Tuneli’ e shpjegon më mirë se kushdo pamundësinë e komunikimit mes njerëzve, si dhe marrëzinë e njeriut që vret për të provuar se është gjallë”, tha ai.

Berisha tha se Xhemail Mustafa është viktima e lirisë, lirisë të cilën e kërkoi në letërsi, në politikë dhe në luftë.

“E tash? A mos intelektuali që shkroi, që e ngriti zërin, që i mbrojti parimet e lirisë, që e orientoi shoqërinë drejt lirisë, njeriu që luftoi me mendje dhe shpirt për lirinë u bë viktimë e lirisë vetë?”, u shpreh ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha e cilësoi si përgjegjësi kolektive heshtjen 25 vjeçare të vrasjes së Xhemail Mustafës.

“Dua të ritheksoj në fund se heshtja 25-vjeçare e vrasjes së intelektualit Xhemail Mustafa është përgjegjësi e jona kolektive. Por, po kështu dua të them se heshtja nuk është harresë”, theksoi ai.

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatnmir Sejdiu, e vlerësoi botimin e kompletit të veprave të Xhemail Mustafës si një ngjarje të rëndësishme jo vetëm kulturore.

“Botimi i kompletit të veprave të Xhemail Mustafës paraqet një ngjarje të veçantë jo vetëm kulturore. Përmbajtja e tyre ofron një mundësi të pazëvendësueshme për ta njohur në thellësi figurën e Xhemailit si letrar e kritik i shquar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në këto fusha, por ka dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset më të rëndësishme për Kosovë dhe për Kosovën”, tha ai.

Sejdiu, duke folur për njohjen e tij të hershme me Xhemail Mustafën, kur të dy ishin ende nxënës të gjimnazit në Podujevë, e vuri theksin te ngarendja e Xhemës drejt qëllimeve të lërta jetësore. Ai theksoi se idetë dhe pikëpamjet e tij, të shprehura në veprimtarinë e tij publike e politike, e bënë Xhemën njeri të dashur e figurë të respektuar në vitet ’90. Ai theksoi se Liria ishte kryefjala e veprimtarisë publike e politike.

“Kompleti i veprave të Xhemail Mustafës, i përmbledhur dhe përgatitur për shtyp nga Prof. Ibrahim Berisha, përbën një tërësi zhanresh të ndryshme që shprehin fuqishëm idetë që lidhen me një mision të shenjtë – lirinë shprehëse, lirinë krijuese, lirinë e të jetuarit i lirë”, tha ai.

Sejdiu e cilësoi librin “Një lutje për Prishtinën” si “një prozë dokumentare rrënqethëse, një përshkrim i sinqertë i përjetimeve të tij e të familjes së tij, një pasqyrim i jetës së familjeve të pakta shqiptare në Prishtinën e shkretëruar nga eshalonet e vdekjes…”.

“‘Një lutje për Prishtinën’ dëshmon se asgjë nuk ndodh pa shkak, pra as bombardimet, as zbrazja e Prishtinës dhe as të panjohurat e shumta”, theksoi Sejdiu.

“Xhema, siç kuptohet nga veprat e tij, punoi e luftoi për Kosovën deri ditën e fundit të jetës së tij. Ai do të bëntë shumë më shumë për Kosovën, por e ndaluan. E vranë. Dhe, ky akt barbarësh nuk është ndriçuar ende, ndonëse tashmë kanë kaluar më se 25 vjet”, theksoi ish-Presidenti Fatmir Sejdiu.

Për veprën e Xhemail Mustafës foli edhe Muhamet Hamiti, njëri ndër miqtë e bashkëpunëtorët e afërt të tij. Ai tha se gjithë veprën e Xhemës e përshkon fryma e lirisë në të gjitha dimensionet e saj përmbajtjesore, por e veçoi ditarin e luftës “Një lutje për Prishtinën”.

Hamiti sugjeroi që ky ditar të përfshihet në programin e lektyrës shkollore për nxënës, si ilustrim shembullor i prozës dokumentare të Kosovës.

Gazetari, publicist e diplomati Avni Spahiu, e vlerësoi veprimtarinë publike e politike të Xhemail Mustafës. Ai tha se Xhema ishte modeli i intelektualit të angazhuar në jetën publike e politike që luftoi për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe se botimi i kompletit të veprave të tij është kontribut me vlerë për njohjen e veprës së tij.

Xhemail Mustafa ishte pjesë e brezit të intelektualëve me ndikim të madh në lëvizjen politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në vitet ’90. Ai u vra më 24 nëntor, në një atentat, në hyrje të banesës së tij, në Prishtinën e sapoçliruar. Vrasja e tij nuk është ndriçuar as sot e kësaj dite.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*