Përurohet libri i Skënder Latifit “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”

Prishtinë, 12 dhjetor 2025 – Të hënën, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari dhe për letërsi “Rexhai Surroi” të Grupi “Koha” është përuruar edhe libri i Skënder Latifit “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”.

Me këtë libër voluminoz, me rreth 600 faqe dhe mbi 1500 fusnota, Shtëpia Botuese KOHA e ka përmbyllur planin i botimeve për vitin 2025.

Pronarja e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se ky libër është dëshmi e rrallë e durimit kërkimor dhe e përgjegjësisë intelektuale ndaj një treve që për shumë dekada është trajtuar më tepër si periferi politike sesa realitet historik me identitet të vetin.

“Nuk e teproj kur them se Skënder Latifi ka shkruar një vepër monumentale”, ka thënë Surroi.

Ajo ka thënë se në mbi dy dekada që merret me redaktim e përkthimtë librave, asnjëherë nuk ka pasur në duar një studim të përmasave të tilla.

Surroi ka thënë se struktura e studimit është e qartë dhe kronologjikisht e ndërtuar rreth 5 periudhave kyçe: sundimit osman, pushtimeve të viteve 1912-1945, pushtetit jugosllav, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe zhvillimeve pas viteve 1999.

“Është kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare. Ky libër të shndërrohet në referencë për studiuesit, gazetarët, politikanët e vetë banorët e Luginës, si pasqyrë për të dokumentuar një histori të mohuar gjatë”, ka thënë Surroi.

Ndërsa autori i librit, Skënder Latifi, ka thënë se një prej dilemave kishte rreth emërtimit, pasi emërtimi Luginë e Preshevës është më tepër i transferuar në bazë të rrethanave që ndryshuan në vjeshtën e vitit 1912. 

(Sipas Koha.net)