Julika Prifti
90 vjetori i mamasë, i shumëpritur për shumë arsye, u lajmërua nga një diell i butë tetori. Përpara asaj dite, 25 tetori kishte marrë trajta të ndryshme në mendjet tona dhe në biseda që luhasnin vazhdimisht nga ideja e festimit publik tek një darkë familjare, nga një paradë e modeleve të flokëve dhe fustaneve ndër vite tek një përmbledhje e fotove të albumeve klasike me ato dixhitale. “Cilat fotografi? A do këndojmë Nën Portokalle Të Njoha Unë Ty, këngën e preferuar të saj?”
Tek kartolinat, e blera dhe disa të punuara me dorë, vezullonin numrat 9 dhe 0 dhe mesazhe të shkruara me humor e fantazi. Shiritat me urime Gëzuar Ditëlindjen RINA, u vendosën në murin e dhomës së pritjes, në formën e një harku, ku menduam të ishte këndi i fotove për mamin së bashku me ne. Nën banderolë shkoi natyrshëm një lloj kalendari me nëntë pankarta, një për çdo dekade jete, deri tani, ku spikatnin ngjarjet më të rëndësishme të secilit dhjetëvjeçar.
Duke nisur nga pankarta e dytë 1945-1955 dhe shtatë me radhë Rina dhe Naumi qenë shokë jete – ishin pjesë e njëri tjetrit. Një nga shprehjet e saj, kur prezantohej në telefon, ishte “Jam e shoqja e Naum Priftit.” Ne, kur ishim të reja vinim buzën në gaz, por e kuptonim krenarinë e mamit për babin, i cili nga ana e tij thoshte me humor: “Unë kam lindur i martuar.” Rina ishte “e shoqja e Naumit” më parë se të ishte mamaja e Loretës, Julikës dhe Rafaelës, dhe gjyshja e Dorianit, e Erit dhe Reas. Dhe të gjitha ato janë emërtime të pandara të qenies së saj.
Repertori i ditëlinjdes më këngët e preferuara në shqip u kombinua me pak balada greke, si kënga Djemtë e Epirit nga Melina Merkuri, në përkujtim të Viktorisë, që fliste greqisht me nipat e mbesat, dhe u kujdes për ta në shtëpinë e prindërve të mamasë, Mihal dhe Maria Çaushi, në lagjen Muradie, Vlorë.
Festa filloi këndshëm me leximin e mesazheve prej miqve dhe familjarëve me urime të përzemërta, disa edhe prej moshatareve në Shqipëri, të cilat i jepnin një dritë vezulluese syve të mamasë. Veshur bukur, dhe stolisur, si gjithmonë, me byzylyk dhe unaza në duar, mamaja hyri në dhomë, duke drejtuar pak më shumë trupin e saj, sepse vitet kanë bërë të vetën. Ktheu kokën nga pankartat me ngjyra: 1935-1945, 1945-1955 me radhë deri në 2015-2025 dhe u mrekullua. “Porta e 90 vjetorit” ngjallte kureshtje dhe nxiste biseda e pyetje: “Sa vite ishte familja e doktor Çaushit në Ersekë?” “Nëna ka studiuar për Bio-Kimi?” thoshte Doriani. “Po në Greqi u takove me kushërirat?” “Sa kohë qëndruat në Filaldefia përpara se të vinit në Nju Jork?”
Buqeta me lule nga Doriani dhe Pamela dukej gjigante në duart e saj. Rea mbante mend, nga koha kur “Nëna”, siç i thërrasim edhe ne, kujdesej për të, se sa herë dilnin reklamat e çokollatave në TV, Nëna thoshte “Mmmmm, Sa e mirë!,” duke e bërë të qeshte me zë. Sa për kosin e shtëpisë, nuk ka dyshim se të gjithë e dimë se “është më i miri në botë.”
Duke ngritur dolli, marrim aprovimin e mamasë, përpara se të nisim të këndojmë këngën e zgjedhur të saj, por sakaq në dhomë, vjen një vazo me degë portokalli, që ia afrojmë mamasë teksa nisim së bashku këngën e njohur Nën Portokalle të Njoha Unë Ty. Ndonëse zëri i saj nuk kumbon si dikur, ajo e mban mirë melodinë dhe i di vargjet. Mbi tortë ndriçonin qirinjtë dhe shkëlqente emri i saj mes numrave 9 dhe 0.
Përvjetori i mamasë ishte festimi i dashurisë sonë për të dhe dëshirës për të pasur shumë të tjerë.