Pesë dronë të Koresë së Veriut futen në territorin e Koresë së Jugut, Seuli kundërpërgjigjet

Seul, 26 dhjetor 2022 – Pesë dronë të Koresë së Veriut u futën në territorin e Koresë së Jugut të hënën (26 dhjetor), ndërsa Seuli u përgjigj duke aktivizuar avionë e helikopterë sulmues dhe duke hapur zjarr në përpjekje për të rrëzuar këta dronë, njoftuan autoritetet koreanojugore.

Veprimi i Phenianit tensionon edhe më shumë raportet e Koresë së Veriut me atë të Jugut, në një periudhë kur marrëdhëniet mes tyre janë në një pikë shumë të ulët.

Një nga pesë dronët që u gjurmuan mëngjesin e së hënës pasi kaluan atë që njihet si Linja e Demarkacionit Ushtarak midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, fluturoi në afërsi të kryeqytetit koreano-jugor, Seulit, ndërsa të tjerët afër bregut perëndimor.

“Ushtria jonë vërejti objekte të paidentifikuara në provincën Gyeonggi, të cilat besohet se ishin dronë të Koresë së Veriut. Ky është një akt provokues nga Koreja e Veriut në shkelje të hapësirës tonë ajrore”, tha Lee Seiung O nga zyra e Shefave të Shtabit të Republikës së Koresë së Jugut.

Autoritetet nuk thanë nëse ndonjëri nga dronët është rrëzuar, por agjencia e lajmeve Yonhap më vonë tha se ushtria e Koresë së Jugut qëlloi rreth 100 herë, por nuk arriti të rrëzojë asnjë dronë.

Në kuadër të përgjigjes së saj, ushtria e Koresë së Jugut dërgoi gjithashtu aeroplanë vëzhgimi drejt Koresë së Veriut për të fotografuar vendosjen e ushtrisë së saj, njoftuan zyrtarët.

Ministria e Transportit e Koresë së Jugut tha më herët se fluturimet nga aeroportet e saj Incheon dhe Gimpo u pezulluan për rreth një orë, me kërkesë të ushtrisë.

Ndërsa po përpiqeshin të ndalonin dronët, një aeroplan i lehtë sulmues i Koresë së Jugut, KA-1, u rrëzua pak pas nisjes nga baza e tij në Wonju në lindje të vendit, tha një zyrtar i ministrisë së mbrojtjes. Dy pilotët e tij shpëtuan dhe ndodhen në spital.

Marrëdhëniet midis Phenianit dhe aleatit të Shteteve të Bashkuara, Seulit, janë për dekada në një pikë të ulët, por kohëve të fundit janë tensionuar edhe më shumë pasi një qeveri e re konservatore mori drejtimin e Koresë së Jugut, ndërsa Koreja e Veriut vazhdon programet e saj bërthamore dhe me raketa.

Seuli dhe forcat amerikane janë përgjigjur ndaj një numri rekord provash me raketa të Koresë së Veriut këtë vit, me stërvitje të shtuara ushtarake, të cilat Koreja e Veriut i sheh si përgatitje për sulm.

(Zëri i Amerikës)