Pesë policë arrestohen nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”, në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan

Prishtinë, 7 korrik 2025 – Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar të hënën lidhur me rastin e vdekjes së një 27 vjeçari pas arrestimit në Lipjan.

27-vjeçari Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të së hënës, pak pasi është arrestuar nga policia në Lipjan, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë, në gjendje të dehur.

Zyrtarët policorë të përfshirë në këtë incident janë arrestuar nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Kjo është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtarë policorë për veprën penale “vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, ka zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala, për portalin “Betimi për Drejtësi”.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte rekomanduar suspendimin e përkohshëm të policëve të përfshirë në këtë rast.

“Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale”, thuhej në njoftimin e Inspektoratit.

“IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke e bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor”, thuhet më tutje në njoftim.

Inspektorati njoftoi gjithashtu se kishte nisur mbledhjen e provave materiale dhe të incizimeve të kamerave të sigurisë si edhe të telefonave mobilë dhe se rastin do ta trajtojë si “hetim mbi vdekjen”.

Policia e Kosovës kishte njoftuar më herët se rreth orës 00:15, 27 vjeçari Agon Zejhnullahu, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në Lipjan. Sipas zyrtarëve policorë, në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili ia ka ofruar ndihmën e parë tani të ndjerit, por nuk ka arritur t’ia shpëtojë jetën.

“Sot (e hënë), rreth orës 00:15, Policia e ka pranuar informacionin se një person që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili ia ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Policia ka thënë se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, lidhur me rastin është iniciuar hetim penal, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Alban Zejnullahu, vëllai i të ndjerit, ka thënë se Agoni ka vdekur si pasojë e dhunës që ka ushtruar policia gjatë arrestimit.

“Ne na i kanë ndërruar dy-tri herë [versionet], jo kështu ka vdekur, jo kështu. Pasi i kemi parë videot, e kemi vërejtur që rasti ka qenë krejt ndryshe. Nga dhuna e tepruar e policëve, ka ardhur deri te vdekja, siç duket edhe në video”, ka thënë ai.

Varrimi i Agon Zejnullahut të ndjerë u bë të hënën në mbëmje, në fshatin Banullë të komunës së Lipjanit.

(r.m.)

Comment

*