Bruksel, 20 maj 2026 – Pesë vende të BE-së i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të rishqyrtojë modelin e përfshirjes së mundshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të bllokut. Ato e shohin këtë si një mënyrë që vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE të mbahen larg sferës së ndikimit të Rusisë, shkruan Euroactiv.
“Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të çuar përpara integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, shkruan Austria, Republika Çeke, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia, në një dokument konfidencial që u qarkulloi midis 27 vendeve të BE-së në Bruksel ,të premten e kaluar dhe, u raportua për herë të parë nga Raportuesi.
“Qasja e bazuar në meritë – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e vetëm evropian përfaqëson një nxitje të tillë”, shkruan vendet, të cilat janë pjesë e një klubi informal që mbështet politikisht aspiratat e Ballkanit Perëndimor për në BE.
Vendet e përshkruan modelin e tyre të propozuar si “integrim sistematik sektorial”. Ai do të përfshinte zgjerimin e gamës së programeve të BE-së në të cilat vende si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të marrin pjesë ndërsa ato, kapitull pas kapitulli, përputhen me rregulloren e trashë të Brukselit.
“Integrimi gradual… duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike sapo një kandidat të tregojë një nivel të lartë përputhshmërie me acquis të BE-së në sektorin përkatës”, thuhet në dokument.
Aty thuhet gjithashtu se duhet të përfshihen edfhe masa mbrojtëse në rast se ndonjëri nga vendet që do të kenë akses në tregun e BE-së bëjnë hapa prapa.
Dokumenti paraqet disa sektorë që mund të përfshihen në këtë model, siç janë tregjet e transportit, energjisë dhe energjisë elektrike, tregu i vetëm dixhital, strategjitë e konkurrencës dhe politikat kritike të lëndëve të para. Ai e vështron marrëveshjen e lëvizshmërisë së të rinjve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si shembull të avantazhit që mund t’u ofrohet edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Autorët e dokumentit i bënë thirrje komisioneres për zgjerimin, Marta Kos, që të dalë me ide të reja në kuadër të këtyre kornizave.
“Kjo qasje do të zgjeronte dhe forconte tregun e vetëm, duke kontribuar në rëndësinë gjeoekonomike dhe në autonominë strategjike të BE-së, ndërkohë që do t’i afronte vendet kandidate dhe do të ndihmonte në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta”, thuhet në dokument.
Megjithatë, dokumenti nuk i plotëson idetë e propozuara nga Ferit Hoxha,ministri i jashtëm i Shqipërisë, në një intervistë me Euractiv, javën e kaluar, ku sugjeroi që vendet kandidate ta fitojnë statusin e vëzhguesit në organet e BE-së ndërsa mbyllin kapitujt.
Milan Niç, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, nuk u impresionua nga përmbajtja e dokumentit, duke thënë se ky model nuk dallon shumë nga konceptet e mëparshme.
“Tingëllon si një version pak më i sofistikuar i shtytjes së mëparshme për integrim gradual”, tha ai.
(r.m.)