Petar Petkoviqit i refuzohet kërkesa për vizitë në Kosovë

Prishtinë / Beograd, 3 maj 2024 – Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i është refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, e cila është kompetente për lëshimin e lejeve për vizita në Kosovë të zyrtarëve të Serbisë. Por, kjo ministri nuk i ka treguar arsyet e refuzimit të kërkesës së Petkoviqit.

Kjo nuk është hera e parë që Petkoviqit nuk i lejohet vizita në Kosovë. Në të kaluarën, atij nuk i janë lejuar vizitat për shkak se Petkoviq, gjatë vizitave të tij në Kosovë, kishte bërë deklarata provokuese të cilat bien ndesh me qëllimin e mirë të vizitave.

Ndërkaq, kërkesa e fundit e Petkoviqit për vizitë në Kosovë ishte kundërpërgjigje ndaj refuzimit të kërkesës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që të vizitojë Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e akuzoi Qeverinë e Kosovës se prej më shumë se një viti “po e pengon Petkoviqin t’i vizitojë serbët në Kosovë”.

Sipas kësaj zyre, vizita e Petkoviqit në Kosovë kishte karakter ekskluzivisht fetar, ndërsa autoritetet e Kosovës e përdorën për qëllime politike.

“Ndonëse vizita kishte ekskluzivisht karakter fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe të serbëve, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj zyre, ndalesa e vizitës së Petkoviqit përbën shkelje të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe Marrëveshjes për vizita zyrtare, të arritura gjatë diualogut në Bruksel

“Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Petkoviq kishte planifikuar të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës në Manastirin e Deçanit, në shërbesën kishtare në Manastirin e Graçanicës dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet me marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve midis dy vendeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, vizitat e zyrtarëve të të dyja vendeve duhet të paralajmërohen përmes zyrtave ndërlidhëse të tyre, ndërsa autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.

(r.m.)