Petar Petkoviqit nuk i lejohet viizita në Kosovë, për shkak të deklaratave të tij provokuese

Prishtinë, 26 qershor 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ia ka refuzuar kërkesën për hyrje në Kosovë drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Leutrim Sahiti, zyrtar në MPJD, në një prononcim për Telegrafin, ka bërë të ditur se Petkoviqit i është refuzuar vizita në Kosovë për shkak se ai e ka shkelur marrëveshjen për vizita të ndërsjella, me deklaratat e tij propaganduese dhe me gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë, për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Sahiti.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në njoftimin për refuzimin e kërkesës për vizitë në Kosovë, tha se Petar Petkoviq kishte kërkuar të vizitonte Kosovën, siç thuhet, “për të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

Vidovdani festohet më 28 qershor, në Gazimestan afër Prishtinë, në vendin ku në vitin 1389 ishte zhvilluar beteja më e madhe mes ushtrisë së përbashkët të popujve të Ballkanit me ushtrinë e Perandorisë Osmane, e njohur si Beteja e Kosovës. Historiografia serbe përpiqet ta përvetësojë këtë betejë, duke e cilësuar si betejë të Serbisë kundër pushtimit osman. 

Petar Petkoviqit iu refuzua kërkesa për të vizituar Kosovën edhe para dy muajsh, kur ai kishte në agjendë pjesëmarrjen në liturgjitë e Pashkëve Ortodokse në Manastirin e Graçanicës.

(r.m.)