Peticionet për bashkim familjar dhe datat prioritare të procesimit nga konsullata

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Përshëndetje. Kam një pyetje. Motra në Amerikë ka paraqitur një aplikim për bashkim familjar. Data prioritare për F4-ën është gusht, 2013. Ndërkohë edhe dy motrat e tjera kanë paraqitur dokumentat. Data prioritare e tyre është nëntor, 2011. Si [aplikimet] e tyre po ashtu dhe i imi janë miratuar në të njëjtën datë, 31 dhjetor, 2014. Motra në Amerikë ka marrë një letër nga USCIS-i ku thuhet që të gjithë dokumentat janë bashkuar në një dosje të vetme për të gjithë. Pyetja ime është kjo: A do të procesohen në të njëjtën kohë?

SG

Albania

Faleminderit që e lexoni rubrikën tonë. Data prioritare për shtatorin, 2021 është si vijon:

Data prioritare për emigrantin që bën bashkim familjar – kategoria F4: Vëllezër dhe motra të nënshtetasve të rritur amerikanë F4 – 1 tetor, 2007 për të filluar procesimin e aplikimit për vizë. Data prioritare e lexuesit tonë është në 2013-ën, kështu që ai duhet të presë derisa datës në fjalë, për kategorinë F4, “t’i vijë koha”. Për këtë do të duhen rreth 6 vjet. Motrat e tij do të presin më pak, rreth 4 vjet. Rastet e tyre janë të kategorisë së katërt preferenciale të bashkimeve familjare: (F4) Vëllezër dhe motra të nënshtetasve të rritur amerikanë. Kategoria F4 ka deri në 65,000 viza, plus numrin e vizave që nuk është përdorur nga tre kategoritë e para preferenciale. 

Peticioni që ka paraqitur e motra për lexuesin tonë është dërguar tek Qendra Kombëtare e Vizave (NVC). Kjo qendër do t’ia kalojë peticionin konsullatës përkatëse amerikane sapo të ketë një vizë në dispozicion dhe më pas do t’i dërgojë lexuesit tonë një njoftim për ta udhëzuar se çfarë të bëjë më tutje. Ky proçes njihet si “Consular Processing” (procesimi nga konsullata). Pavarësisht se USCIS-i ia ka bashkuar në një dosje aplikimet përkatëse të familjes së lexuesit, aplikimet për vizë do të procesohen në bazë të datave prioritare. Pra, aplikimet për vizë të motrave të lexuesit tonë do të procesohen dy vjet më shpejt se sa aplikimi i tij. Procesimi i vizave nuk bazohet në datën e miratimit. 

Kam statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm. Gushtin që kaloi u martova me një grua në Shqipëri dhe mezi po pres ta sjell në SHBA. Ta dërgoj peticionin për [bashkim familjar] që tani apo të pres derisa të bëhem nënshtetas?

BR

Camden, NJ

DËRGOJE QË TANI!  Duke qenë se keni green card (jeni rezident i përhershëm), mund të paraqisni një peticion për bashkëshorten. Ky peticion për vizë është formulari I-130 (Petition for Alien Relative). Nëse paraqisni prova që dëshmojnë që keni statusin e rezidentit të përhershëm, pra që keni green card, Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të SHBA-së (USCIS-i) do ta miratojë peticionin që keni paraqitur. Duhet të paraqisni gjithashtu dhe prova të lidhjes martesore si çertifikata e lindjes, çertifikata e martesës, dokumenti i divorcit (nëse jeni i divorcuar) dhe dokumenta të tjerë që dëshmojnë që martesa juaj është e vlefshme. Në dokumentat provë mund të përfshini dokumenta bashkëpronësie apo kontratën e qirasë ku tregohet që keni jetuar bashkë në të njëjtën adresë; dokumentacion që tregon që ju apo bashkëshortja i keni bashkuar burimet financiare; çertifikatat e lindjes së fëmijëve që keni së bashku; deklarata të lëshuara nën betim apo në prani të një pale të tretë që ka dijeni të plotë lidhur me faktin që lidhja juaj martesore është e vlefshme. Mund të paraqisni gjithashtu dhe dokumenta të tjerë që provojnë që lidhja juaj martesore vazhdon ende. 

Kur peticioni I-130 procesohet dhe aprovohet nga USCIS-i, gjithë dokumentacioni përkatës i kalon NVC-së, Qendrës Kombëtare të Vizave. Zakonisht koha që i duhet USCIS-it për të kryer procesimin është e gjatë.  

Për ata si ju që kanë green card, por nuk janë nënshtetas amerikan, egziston një periudhë pritjeje. Kjo periudhë pritjeje përcaktohet nga kategoritë preferenciale. Rasti juaj i përket kategorisë së dytë preferenciale (2A): bashkëshortët e personave që kanë green card (rezidentë të përhershëm). Si rregull, në varësi të datës prioritare (datës kur keni dërguar siç duhet peticionin I-130) për kategorinë tuaj preferenciale përkatëse, ju vihet në dispozicion një vizë. Data prioritare dhe kategoria preferenciale përcaktojnë se sa kohë do t’ju nevojitet të prisni për të marrë numrin e vizës emigruese. Në momentin që paraqisni peticionin, mund të kontrolloni ecurinë e tij në “Visa Bulletin” (Buletinin e Vizave)   të cilin Departamenti i Shtetit të SHBA-së e nxjerr çdo muaj https://travel.state.gov/content/visas/en/law-and-policy/bulletin.htmlt

Keni qenë me fat që na kontaktuat pikërisht tani. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta dërgoni sa më shpejt peticionin! Nëse e shtyni për më vonë, bashkëshortes mund t’i duhet të presë shumë më tepër për të marrë green card-ën. Nëse e dërgoni peticionin që tani, datës prioritare për kategorinë tuaj F2A i ka “ardhur koha”. Kjo do të thotë që NVC-ja do të mund t’i procesojë peticionet që i shkojnë tani. Natyrisht, do t’ju duhet më pas të prisni që USCIS-i ta shqyrtojë dhe ta miratojë peticionin. Nëse mundeni, shfrytëzojeni këtë avantazh, sepse ka të ngjarë të mos vazhdojë gjatë. Pra, për ata që do të kalojnë përmes procesimit konsullor, bëjuni gati dhe nëse mundeni, paraqisni dhe pjesën tjetër të dokumentave sa më shpejt që të jetë e mundur. 

NVC-ja do t’ju kërkojë të paguani tarifat e aplikimit dhe të paraqisni dokumentacion financiar dhe atë të gjendjes civile. Kushdo që emigron pasi dikush ka paraqitur një peticion bashkimi familjar për të, duhet të ketë një sponsor financiar. Nëse nuk i përmbushni kriteret financiare, atëherë do t’ju duhet të gjeni dikë tjetër që ta marrë përsipër këtë gjë. Dokumentat financiarë si formulari I-864, Affidavit of Support kanë ardhur duke u bërë gjithnjë e më të ndërlikuar, ndaj ju këshillojmë që të kërkoni ndihmën e një avokati emigracioni me përvojë.

Nëse NVC-ja vendos që dosja juaj është e plotë, do t’ju caktojë një intervistë për vizë. Nëse bashkëshortes i japin një vizë emigruese, zyrtari i konsullatës do t’i japë pasaportën me vizë si dhe pakon e mbyllur me dokumentat që keni paraqitur. Bashkëshortja duhet të hyjë në SHBA përpara se t’i kalojë afati vizës. Përpara se të niset për në SHBA, duhet të paguajë dhe tarifën e USCIS-it për emigrantin (USCIS Immigrant Fee). USCIS-i nuk do t’jua japë green card-ën derisa të paguani tarifën në fjalë. 

Si ta marr buletinin e përmuajshëm të vizave?

Që të futesh në listën e të abonuarve që duan Buletinin e Vizave përmes e-mail-it të Departamentit të Shtetit, dërgoni një e-mail në adresën elektronike në vijim: [email protected] dhe aty ku është vendi për të shkruar përmbajtjen, shkruani: Subscribe Visa-Bulletin.  Departamenti i Shtetit ka vënë në dispozicion dhe një mesazh të regjistruar të datave të buletinit të vizave të cilat mund t’i dëgjoni në numrin: (202) 485-7699. Regjistrimi në fjalë përditësohet rreth datës 10 të çdo muaji me informacionin e ri lidhur me datat e buletinit të vizave për muajin në vijim. Buletinin e vizave mund ta gjeni në: 

https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/visa-law0/visa-bulletin/2021/  Kjo faqe Interneti tregon gjithashtu dhe buletinin e vizave për muajin në vijim si dhe informacione të tjera që kanë të bëjnë me udhëtimin në SHBA.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]