Petkoviq: E ardhmja e dialogut varet nga gatishmëria e Kosovës për ta formuar Asociacionin

Beograd, 17 janar 2026 – Shefi i grupit negociator të Serbisë në dialogun me Kosovë, Petar Petkoviq, i tha të dërguarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, njoftoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sorensen u takua me Petkoviqin në Beograd të premten, dy ditë pas vizitës në Prishtinë, në një përpjekje të re për të shënuar përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Petkoviq, i cili është drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, bisedoi me të dërguarin e bllokut për mundësitë për avancimin e dialogut të stagnuar.

Petkoviq “ia përcolli një mesazh të qartë” Sorensenit se për çdo përparim i dukshëm në dialog “është e nevojshme të ndërmerren hapa konkretë për të themeluar” Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për të diskutuar draft-statutin e Asociacionit, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhnënieve midis tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por nuk janë duke e zbatuar atë. Një ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Por, edhe Kosova ka vënë kushte për vazhdimin e dialogut me Serbisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në takim me Sotrensenin, të mërkurën në Prishtinë, tha se Kosova është e gatshme për normalizim të raporteve me Serbinë, por më parë Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe që e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Kurti tha gjithashtu se Serbia duhet ta tërheqë letrën që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e kishte deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe të nënshkruajë Marrëveshjen bazë për rrugën drejt normalizimit të marrëdhnënieve dhe Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, |si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”.

Sorensen tha në Prishtinë se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të sulmit vdekjeprurës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter policor kosovar dhe tre sulmues serbë.

Kjo ishte vizita e parë e Sorensenit në këto dy vende qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

(r.m.)