Bruksel, 10 qershor 2025 – Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka paralajmëruar se gjatë së martës në Bruksel do të zhvillojë një takim me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut evropian për dialogun mes dy shteteve fqinje, Peter Sorensen.
“Atmosferë pune në delegacionin e Beogradit në Bruksel para bisedimeve të drejtpërdrejta mes Beogradit dhe Prishtinës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, shkroi në Instagram kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i 10 qershorit vjen pas takimeve dypalëshe që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori Petkoviq, zhvilluan me Sorensenin më 2 qershor në Bruksel.
Bislimi tha se me Sorensenin bisedoi për “qasjen” që do të ketë zyrtari evropian në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.
“Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël”, tha Bislimi.
Por, Petkoviq tha se ai e ka bërë të qartë se Presheva dhe Bujanoci nuk mund të jenë temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Presheva dhe Bujanoci janë çështje të Serbisë qendrore, të ligjeve dhe Kushtetutës sonë, dhe për këtë nuk mund të ketë asnjë lloj diskutimi në kuadër të dialogut – pavarësisht përpjekjeve të [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurtit dhe [zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik] Bislimit për t’i futur këto tema”, tha Petkoviq pas takimit me Sorensenin.
Shefja e diplomacisë evropianer, Kaja Kallas, qëndroi në Prishtinë dhe Beograd muajin e kaluar, ku bëri thirrje për përmirësim të raporteve, duke theksuar se kjo është parakusht për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.
Dialogu midis Kosovës e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, i cili zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur në vitin 2011. Gjatë dialogut dy vendet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për çështje të ndryshme që nuk prekin në çështjen e statusit të Kosovës, por ato nuk janë zbatuar të gjitha.
(r.m.)