Petritsch: Ideja për ndarjen e Kosovës ka qenë e Beogradit

Prishtinë, 11 maj 2025 – Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, në një bisedë me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, ka pranuar se ai ishte i përfshirë në debatin për ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë se në këtë debat ishte përfshirë për të kuptuar më mirë se çfarë mund të arrihej përmes dialogut.

Sipas Petritschit, i cili ishte përfshirë në proceset politike në Ballkan gjatë luftërave dhe pas përfundimit të tyre, ideja për ndarjen e Kosovës ka qenë e Beogradit, ndërsa ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesja e atëhershme e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, ishin të hapur ndaj kësaj ideje.

“Ishte hera e parë që dy liderë ballkanikë flisnin për kufijtë në mënyrë paqësore. Nuk besoja se ndarja do të ndodhte, por shpresa ime ishte që përmes këtij diskutimi të gjenin një rrugë tjetër zgjidhjeje,” ka thënë ai, transmeton Koha.

Petritsch ka theksuar se përfshirja e tij nuk nënkuptonte përkrahje për ndarjen, por një përpjekje kreative për arritjen e një marrëveshjeje paqësore. Ai ka treguar se kishte qenë ai që kishte sugjeruar organizimin e një takimi mes Thaçit dhe Vuçiqit në forumin e Alpbachut, në Austri, ku ata e patën ndarë të njëjtën skenë për herë të parë.

Petritch ka mohuar se në tavolinë ishin shtruar ndonjëherë edhe harta, por ka theksuar se Beogradi kishte, siç ka thënë, “pritshmëri joreale” për territor.

“Serbët mendonin se mund të merrnin shumë më tepër sesa do të jepnin. Kjo nuk funksionon,” ka thënë ai.

Sipas Petritchit, me arritjen e marrëveshjes për ndarjen e Kosovës Serbia do ta njohte “de facto” Kosovën,

“Nëse Beogradi dhe Prishtina do të arrinin një marrëveshje për ndarje, kjo do të nënkuptonte njohje de facto të Kosovës nga Serbia, sepse nuk mund të ketë traktat ndërkombëtar pa njohje të ndërsjellë,” i shpreh Petritsch.

(r.m.)