PETRO  DHIMITRI – FOTOGRAF I SHQUAR I HISTORISË

Nga Qerim Vrioni

      Në shejzën e fotografëve më të hershëm shqiptarë, një vend i veçantë i përket edhe mjeshtrit të aparatit, Petro Dhimitri. Ai është quajtur më ndryshe edhe Petro Fotografi, për shkak të profesionit dhe Petro Shqiptari, në sajë të përkushtimit të madh për çështjen kombëtare. Veprimtaria e tij përqendrohet më tepër në fotografinë dokumentare dhe historike, shpesh edhe me ngjyrim artistik.
      Petro Dhimitri është lindur në Korçë në vitin 1861. Qysh në moshë të re, ai mërgon në Turqi (Stamboll), ku mëson edhe mjeshtërinë e fotografimit në një studio vendase. Këtu, rreth vitit 1890, fillon të bëjë fotografitë e para. Ndër to, përveç fotove për popullatën, kishte realizuar dhe peizazhe të bëra për kënaqësi, si ai mjaft piktorik i fshatit bregdetar arvanitas Hidër, në Greqi më 1895. Pak më vonë, ai kthehet në atdhe. Në vitet që përfshijnë fundin e shekullit XIX dhe fillimin e atij XX, Petro Dhimitri nis gjallërisht pjesëmarrjen e tij në lëvizjet për çlirim kombëtar duke u regjistruar edhe si anëtar i Klubit atdhetaro-kulturor “Dituria” të Korçës. Paskëtaj merr pjesë me armë në dorë në çetat patriotike të Cerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Për veprimtarinë e tij atdhetare, për një periudhë kohe, ai është burgosur dhe internuar nga autoritetet turke, por pa mundur ta gjunjëzojnë si veprimtar të çështjes kombëtare. Për të njëjtat arsye, më 1905, dhespoti fanariot i Korçës, Foti, e çkishëroi Petro Shqiptarin, po nuk e përkuli dot shpirtin e tij liridashës.
     Ndërkohë, Petro “Shqiptari” ishte bërë dalëngadalë një figurë e njohur në Korçë dhe rrethina si në fushën politiko-shoqërore, ashtu dhe në atë kulturore. Ai me nuhatje artisti e, njëherazi dhe me shpirt atdhetari, mundohej që veprimtaritë e tij në rrafshe të ndryshme, të ndihmonin njera-tjetrën, gjithmonë në shërbim të çështjes kombëtare. Kështu, ai shihej shpesh duke mbajtur me vehte armën, po njëkohësisht edhe aparatin fotografik i cili ndonëse jo praktik, nuk e bezdiste. Me atë aparat, Petro Dhimitri ka fotografuar pjesëtarët e çetave ku  bënte edhe vet pjesë, para ose pas betejave luftarake me pushtuesin për lirinë e vendit. E, megjithëse nuk ka fotografuar çaste përpjekjesh të armatosura, çka ishte edhe e pamundur praktikisht, po vetëm aktorët e tyre, ai në një farë mënyre mund të quhet edhe “fotografi i parë i luftës” në Shqipëri.
   Në vitin 1908, Petro “Fotografi”, edhe pse ishte dhe aktor, fotografon pjesë nga çfaqjet teatrore në Korçë, që janë nga të parat, në mos më të parat në historinë e artit dramatik në vend. Kështu sot na kanë mbritur foto nga shfaqjet e dramës “Besa” të Sami Frashërit dhe të dramës “Karl Topia”, kumti i tyre ishte një shkundje e kujtesës së shqiptarëve nëpërmjet ngjarjeve historike dhe traditave të popullit për forcimin e frymës kombëtare të tyre. Ai bashkë me Thanas Floqin ka krijuar stampat e flamurit kombëtar që zbukuruan rrugët e Vlorës me rastin e Shpalljes së Pavarësisë. Sipas disa shkrimeve mbi veprimtarinë e tij, Petro Shqiptari ka pikturuar edhe shqiponjën me dy krerë në një flamur të kuq të përgatitur së bashku me Thanas Visso Mborjen, i cili u ngrit në Kalanë e Beratit në janar 1913. 

Ndër fotografitë më të shquara të Petro Dhimitrit, në lëmin historik e dokumentar, mendoj se janë edhe ato të realizuara në Vlorë me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë, më 28 nëntor 1913. Në mes tyre është edhe një foto shumë e njohur, ajo që paraqet Ismail Qemalin, Plakun e Flamurit së bashku me anëtarët e Kuvendit Kombëtar duke përshëndetur nga ballkoni i ndërtesës së qeverisë së asaj kohe. Kjo foto gjatë diktaturës komuniste ka pësuar riprekje (retushime) shumë të mbrapshta. Prej saj u hoqën të gjithë të tjerët, që ishin anëtarët e qeverisë dhe, u la vetëm Ismail Qemali. Po ashtu fotoja paraqitej sikur ishte e 28 nentorit 1912, kur në të vërtetë ishte e një viti më pas, një shtrembërim i pafalshëm historik ky. Duke mbetur te fotografitë që ka realizuar  ai në përvjetorin e parë të pavarësisë, përmendim edhe disa foto çasti me njerëz që natyrshëm të gëzuar, donin të përngrinin në letër atë atmosferë festive, por edhe të tjerë që   kapeshin vjedhurazi nga Petro “Fotografi”.
    Një fotografi interesante për nga vlerat dokumentare është edhe ajo që i ka bërë Petro Shqiptari, Mitingut të Shkronjave Shqipe të zhvilluar në Kodrën e Shëndëllisë (Korçë) më 13 mars 1909, i quajtur “Mitingu i Shëndëllisë”. Ajo luzmë njerzish të mbledhur atë ditë të ftohtë marsi, i jepte tubimit edhe ngjyrën e një plebishiti miratimi për abecen shqipe, sepse gjithçka ishte vendosur katër muaj më pare, më 22 nëntor 1908, në Kongresin e Manastirit. Atdhetari dhe eruditi i njohur, Mit’hat Frashëri, në gazetën e tij “Lirija” që botonte në Selanik, shkruan se në të ishin rreth 15 mijë pjesëmarrës. Natyrisht, edhe fotografi ynë ka qënë një me ta dhe e ka shtypur butonin me kënaqësi të madhe duke përjetuar me gëzim haren e përgjithëshme.
       Petro Dhimitri shquhet edhe  si personalitet politik, kulturor dhe shoqëror, ai dinte disa gjuhë të huaja, ishte grafist (piktor) i mirë si dhe ka luajtur rolin e Asllanit në dramën “Besa” të Sami Frashërit në vitin 1908, në Korçë. Një pjesë e fotografive të tij janë kthyer në kartolina pas 1908, kur xhon turqit toleruan disa liri shoqërore. Gjithashtu, ai ka gdhendur në dru, stampa për parullat festive-atdhetare me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë që u kremtua në Vlorë me madhështi. Interes të veçantë paraqet edhe një portret fotografik i tij me veshje kombëtare të krahinës së Shkodrës, gjë që tregon se duhet të ketë qënë në qytetin e Marubëve dhe njohur me ta. Në një peizazh i përgjithshëm fotografik të Voskopojës më 1914, ai shënon jo pa keqardhje “Voskopoja para prishjes së tretë”. Një pjesë e fotografive të Petro Dhimitrit, në xhama, filma dhe letër, ndodhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Petro Dhimitri është ndarë nga jeta në Korçë, në vitin 1947.
      Duke lëvruar me  përkushtim fotografinë me tema atdhetare, por në një farë mënyre edhe me kërkesa estetike, mendojmë se Petro Dhimitri, mund të renditet  bashkë me Pjetër dhe Kel Marubin, Kol Idromenon, Kristo Shulin, dhe Vani Burdën, në yllësinë e fotografëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare. (Botuar në gazetën “Illyria”, në 31 mars 2009)


Burime:

1. Revista “Skena dhe Ekrani”, Nr.1, 1988
2. Gazeta  “Panorama”,  5 shkurt 2007
3. Elsie  Robert—“Dritëshkronja”–Prishtinë, 2007
4. Gazeta “Lirija”– Selanik, shkurt, 1910
5. Gazeta “Drita”, 21 tetor 1962
6. Thëllimi Nedai– “Korçarët në shekuj”—Korçë, 2002
7. Gazeta “Illyria”—Nju Jork, 27.02—05.03.2009
8. Pepo Petraq—“Kujtime nga Lëvizja për  Çlirim Kombëtar”—Tiranë, 1962