Pezullohet nga detyra kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri

Tiranë, 30 qershor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 30 qershor vendimmarrjen e gjykatës respektive për pezullimin nga detyra të kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, KPP, Jonaid Myzyri, si dhe detyrimin e tij për tu paraqitur në policinë gjyqësore, pasi është marrë i pandehur javën e kaluar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.

Sipas SPAK, objekti i këtij hetimi ka qenë procedura e prokurimit me emërtimin: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.8 milioë lekë pa tvsh, e zhvilluar më datë 18 shtator të vitit 2020 nga ana e Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH.

Në njoftim thuhet se shqyrtimi i procedurës nga ana e ARRSH ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurimit Publik, nuk i ka marrë në konsideratë.

“Gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; A.M., dhe D.-1., ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara”, konstaton SPAK dhe shton se janë marrë të pandehur dhe shtatë zyrtarë të tjerë të akuzuar po për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa shtetasit M.L., N.K., dhe A.K., janë nën hetim për falsifikim.

Jonaid Myzyri e mori detyrën në vitin 2020. Komisioni i Prokurimeve Publike përbëhet nga 5 anëtare, nga të cilët një kryetar dhe një tjetër nënkryetar. Kryetari dhe anëtarët e KPP emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.

(Reporter.al)

Comment

*