Pezullohet një vit gjykimi i Arben Ahmetajt për shpërdorim detyre

Tiranë, 16 shkurt 2024 – Gjykata e Posaçme vendosi të premten më 16 shkurt të pezullojë për një vit gjykimin e kërkesës së prokurorisë për dërgimin për gjykim të çështjes penale nga ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i akuzuar për “shpërdorim detyre” lidhur me privatizimin e një parcele toke me çmimet e vitit 1994 duke injoruar një vendim gjykate.

Vendimi i pezullimit të gjykimit paraprak është marrë nga gjyqtari Erjon Çela. Sipas gjykatës, është detyrim njoftimi personalisht i të pandehurit, i cili sipas dokumenteve të Interpolit është në kërkim ndërkombëtar dhe nuk është gjendur. Një prokurorë e paraqitur nga avokati i Ahmetajt është vlerësuar se nuk i referohet këtij lloj gjykimi dhe për rrjedhojë është vendosur të pezullohet gjykimi për 1 vit, si dhe janë urdhëruar shërbimet policore që të vijojnë kërkimin.

Çeshtja penale lidhet me një parcelë toke me sipërfaqe 6370 metra në pronësinë e familjes Myderizi në rrugën 5 Maji në Tiranë, e cila sipas SPAK u privatizua duke përdorur çmimet e vitit 1994 në kundërshtim me një vendim gjykate të formës së prerë. Kjo është një akuzë e shtuar për Ahmetajn, i cili është në arrati për akuza të korrupsionit në lidhje me biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Ahmetaj pati një karrierë të gjatë në Partinë Socialiste dhe shërbeu si ministër i Ekonomisë, i Financave, i Rindërtimit dhe si zëvendëskryeministër në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Emri i tij u përfshi në hetimet për dhënien nga qeveria të 3 kontratave qindra-milionë euro për ndërtimin e incineratorëve, një hetim që ka çuar pas hekurave disa zyrtarë të tjerë të lartë, një ish-ministër dhe një ish-deputet të PS-së.

Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkoi arrestimin e tij dhe Kuvendi miratoi kërkesën më 14 korrik 2022, por Ahemtaj iu shmang përballjes me drejtësinë dhe ndodhet jashtë Shqipërisë.  Një kontratë lobimi me vlerë 150 mijë dollarë e nënshkruar nga Ahmetaj zbuloi se ish-zëvendëskryeministri banon aktualisht në Lugano të Zvicrës, qyteza piktoreske e njohur si rezidencë për banka dhe për biznesmenë, në brigjet e liqenit me të njëjtin emër në kufi me Italinë.

(Reporter.al)