Më 31 maj, në Staten Island u zhvillua një piknik historik shqiptar, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit tonë. Me mbi 8,000 pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, ky ishte një nga grumbullimet më të mëdha shqiptare të organizuara ndonjëherë në Staten Island.
Ky aktivitet u organizua nga 14 shoqata shqiptare, të cilat dëshmuan se kur bashkohen për një qëllim të përbashkët, mund të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme. Pjesëmarrja masive tregoi forcën, unitetin dhe potencialin e komunitetit shqiptar në New York.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Staten Island dhe New York-ut, ndër ta:
Borough President Vito Fossella
Kongresistja Nicole Malliotakis
District Attorney Michael McMahon
Assemblyman Michael Tannousis
Këshilltari i New York-ut David Carr
Frank Morano
Kamillah Hanks
Senatorja Jessica Scarcella-Spanton
Ambasadorja e Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Suela Janina
Të gjithë u shprehën të impresionuar nga numri i madh i pjesëmarrësve dhe organizimi i shkëlqyer i këtij aktiviteti. Në shenjë vlerësimi për kontributin në komunitet, Kryetarja e Qytetit të New York-ut ndau një çmim të veçantë për Kryetarin e Shoqatës Shqiptare Amerikane të Staten Island, Naser Nika.
Pikniku u pasurua edhe me një program të larmishëm artistik. Të ftuar specialë nga Kosova ishin këngëtarët e njohur Taulant Baraliu dhe Andi Baraliu, të cilët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme për të pranishmit.
Përveç muzikës dhe argëtimit, u organizuan edhe aktivitete sportive e kulturore si shah, volejboll dhe futboll. Për programin muzikor u kujdes Naser Nika, për garat e shahut Imer Laçaj, ndërsa aktivitetet sportive të futbollit u koordinuan nga Albert Salaj dhe Lulzim Popaj.
Ky piknik dëshmoi edhe një herë se komuniteti shqiptar në Amerikë është i bashkuar, aktiv dhe krenar për identitetin e tij. Suksesi i këtij organizimi ka krijuar një bazë të fortë për aktivitete edhe më të mëdha në të ardhmen.
Pas këtij suksesi, shoqatat shqiptare po përgatiten për një tjetër ngjarje historike: Festivalin e Parë Shqiptar në New York, i cili do të mbahet në shtator dhe pritet të mbledhë mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat, duke promovuar kulturën, traditat, muzikën dhe gastronominë shqiptare.
Një ditë krenarie, uniteti dhe historie për shqiptarët e New York-ut.








