Piktori i Popullit Nestor Jonuzi dhe lirizmi i thellë në veprat e tij

Laureta Petoshati

Laureta Petoshati

Sapo hyn në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë Vlorë, krahas objekteve të ndryshme që flasin për një periudhë të ndritur të popullit tonë, është dhe një pikturë e stërmadhe në vaj që sapo e sheh të bën të shmangesh. Kjo kryepunë e Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi, të shkakton emocione të forta pasi ka një ngarkesë të madhe jo vetëm ideoartistike, por edhe polisemantike. Vepra titullohet “Drejt Pavarësisë” dhe në qendër të saj shihet babai i kombit, apo arkitekti i pavarësisë Ismail Qemal Vlora me Luigj Gurakuqin, si dhe shoqërues të tjerë, në rrugën e mundimshme drejt Vlorës në ato shira të rrëmbyer e terrene gjithë llum e baltë. Vepra të trondit, sepse tregon jo vetëm një dinamikë historike, por dinamikën e shpirtit që përfshihet tërësisht në atmosferën emocionale që ka dhënë autori me kompozimin e veprës së tij. Këtu prekemi menjëherë nga sublimja në art, ndodh ajo që thotë Johann Christoph Friedrich Schiller se “e bukura të kënaq, të argëton, veç nuk na edukon, ndërsa sublimja na prek thellë, na ngre lart, pra na edukon.” Jo vetëm si shqiptar e si vlonjat, por edhe si pasardhës i një familjeje të lidhur ngushtë me pavarësinë kombëtare, Nestor Jonuzi, mbi të gjitha, ka pasur si forcë shtytëse për kompozimin e kësaj vepre edhe emocionet që i kanë lindur nga historitë e treguara brenda familjes së tij qysh në vogëli dhe siç duket para se ta nisë ka pasur në kokë një ide, apo koncept të qartë të asaj se çfarë do të bënte mbi kanavacën afërsisht sa një faqe muri. Artisti dhe estetisti amerikan Solomon “Sol” LeWitt kur flet për një vepër që është konceptuar më parë në kokë thotë: “ Në artin konceptual ideja ose koncepti është aspekti më i rëndësishëm i punës. Kur një artist përdor një formë konceptuale arti, kjo nënkupton se gjithë planet dhe vendimet janë marrë që më përpara dhe realizimi është një punë mekanike. Ideja bëhet makina që krijon artin.” Vepra“Drejt Pavarësisë” jo vetëm që ka karakter kombëtar, pasi aty dallohen jo vetëm heronjtë, por edhe shenjat dalluese të veshjeve të popullit të tij si fustanella e labëve, tirqet dhe jeleku i malësorit, takija e myzeqarit, por ajo ka edhe karakter universal sepse piktori Jonuzi trajton idealin e lirisë dhe pavarësisë së popujve nga zgjedhat e huaja dhe këtë gjë e bën në mënyrë të madhërishme. Këtu, sipas estetëve modernë, kemi tre lloj të madhërishmesh: 1 –Të madhërishmen konceptuale, e cila vjen nga vullneti apo nga vendosmëria për të treguar me anë të artit edhe vullnetin e Ismail Qemal Vlorës dhe pasuesve të tij për ta shpënë deri në fund rrugën drejt pavarësisë që do të shpallte në Vlorë. Llamba në dorë tregon çarjen e errësirës shumëshekullore, ardhjen e ditëve më të mira, ecjen drejt Vlorës, drejt portit që të çon në perëndim, në Europën e idealeve iluministe, të diturisë, së kulturës. 2 –Të madhërishmen e përligjur nga historia. Pikërisht këtu piktori Nestor Jonuzi ka kapur një kulm historik, nxitimin se koha nuk priste për të mbaruar sa më shpejt misionin historik, shpalljen e pavarësisë në Vlorë. Nxitimi dhe ecja nëpër baltë si dhe fshatari që ecën zbathur, i japin veprës së autorit nivelin tragjiko-heroik të përligjur nga çasti historik. 3 –Të madhërishmen shqisore ku duken dukuritë e natyrës, ujërat, përmbytjet, i ftohti që duket në fytyrat e njerëzve të vendosur në tablo.
Gjithçka ka një vagëllimë drite, veç ajo që shkëlqen, për të thyer monotoninë dhe ka spërkatje ekspresioniste, është e kuqja e mahnitshme, goditëse, në shallin që mbulon kokën e malësorit nga Kosova dhe në brezin që lidh fustanellën e labit. Piktori Nestor Jonuzi në gjithë këtë tablo, përdor një stil realist të ndërthurur me impresionizmin, pasi me anë të impresionizmit jep mesazhe më të forta për hapësirën dhe dritën. Na duket se bashkë me dritën e llambës, e cila është jo vetëm konvencion për të treguar kushtet e kohës, por edhe idealet e ndritura, zhvendosen dhe reflektimet e ujit poshtë këmbëve të njerëzve që do të bënin histori. Kemi kështu një dinamikë, një lëvizje, ku piktori Jonuzi arrin në atë shkallë natyrshmërie, saqë krijon një harmoni të mahnitshme, të papërsëritshme jo vetëm si unitet në larmi, por edhe si unitet kontradiktor që krijon përsosmëri dhe raporte përpjesëtimore të jashtëzakonshme. Ky kompozim i bën nder jo vetëm artit shqiptar, por edhe atij evropian, pasi siç thoshte Claude Monet se “edhe hijet flasin”, në veprën “Drejt Pavarësisë” të Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi, flet çdo grimcë, çdo nuancë, apo brishtësi në dritat vagëlluese të agut të pavarësisë. Kjo kryepunë e bën këtë piktor të denjë të qëndrojë krahas piktorëve më të mirë evropianë e më gjerë, bashkëkohës të tij.
Piktori i Popullit Nestaor Jonuzi, natyrisht që për shkollën që mbaroi, automatikisht, në atë regjim që kishte si përparësi përhapjen e ideologjisë mbi të cilën mbështetej, pra për realizmin socialist, duhet t’i qëndronte shumë besnik kësaj rryme, si nën-rrymë e realizmit. Dhe realizmi duhet të japë ngjyra të sakta të objekteve, sendeve dhe personave që pikturohen. Piktori Jonuzi e jep një realizëm të tillë kur përfundoi tablonë “Ultimatumi i vitit 1920” ku flet për ultimatumin e Luftës së Vlorës, dërguar gjeneralit italian Picentini. Ai bën një saktësim të oficerëve, ndihet atmosfera kërcënuese dhe shpirti i paepur i labit trim, Selim Mallkeqit që dorëzon Ultimatumin. Por unë, nuk do të qëndroj te kjo punë. Mua do të më pëlqente të flisja për tablonë “Gëzimi i Fitores (18 tetor 1943)”, e cila është përdorur dhe si pullë poste dhe futet në fondin e artë të filatelisë shqiptare. Kjo tablo, u bë aq e famshme me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut nga nazifashiszmi, aq sa u bë në Itali, në vitin 1939 kur doli, piktura “Pushkatim në fushë” e realistit italian Renato Guttuso, i cili ishte i frymëzuar nga idealet antifashiste të kohës duke i bërë jehonë vrasjes së poetit dhe artistit poliedrik spanjoll Federico Garcia Lorka-s nga trupat e Franco-s. Por ndryshe nga Guttuso, që e përskuq gjithë tablonë me ngjyrën e forte të gjakut duke i dhënë asaj nuanca ekspresioniste që shkojnë paralelisht me të kuqen e masakrës që po bëhej mbi qenien njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nestor Jonuzi pikturon me një të kuqe të moderuar apo më mirë të përzier me ngjyrën kafe. Edhe këtu, kemi një përthyerje me një impresionizëm të lehtë, nga tymi, avujt, apo afshi që lëshon topi që sapo ka lëshuar predhën në shenjë, duke mbaruar goditjen. Edhe në këtë vepër të Jonuzit, kemi një kompozim të përkryer. Katër luftëtarë, ku tre partizanë, një prej të cilëve është një vajzë e re dhe ku një burrë i moshuar me qylafin lab në kokë, që i jep veprës karakter kombëtar, pasi partizanët me yllin e kuq i japin veprës karakter internacionalist, janë vendosur në formë gjysmërrethi. Duket sikur është mënyra se si vendosen shqiptarët në një valle. Kapelja, e mbërthyer fort në dorën e partizanit sikur të jetë një shami, ta jep më shumë këtë përshtypje. Tabloja është më shumë e lartë se sa e gjerë për të treguar në çdo hollësi jo vetëm tiparet, sidomos sytë e këtyre njerëzve që i gëzohen fitores së parë mbi ushtrinë gjermane që sapo kishte pushtuar Shqipërinë, por edhe sa i lartë ishte ideali i lirisë që përçon vepra. Kemi një kompozim tejet lirik, ku çdo gjë duket sikur flet, sikur këndon dhe përsëri drita dhe atmosfera gjithë mjegull e avuj jepet me anë të paletave të lira të impresionizmit, por gjithçka pa e kaluar masën. Te vepra e Nestor Jonuzit ndodh ajo që e shpreh profesori francezo-amerikan Antoine Compagnon, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Amerikane se “stili është larg nga të qenit një koncept i pastër, ai është një nocion kompleks, i pasur, i paqartë, i shumëfishtë”. Megjithatë, piktori Jonuzi, që u lind në vitin 1944 në Vlorë dhe edukimin e plotë e mori në Akademinë e Arteve në Tiranë, padyshim, që u përgatit nga pedagogë që kishin mbaruar në shkollën ruse dhe motivi lirik në pikturë i përkiste artistëve të brezit të Luftës së Dytë Botërore të Shkollës së Leningradit nga vitet 1940 deri në vitet 1990. Brenda veprës së Nestor Jonuzit gjejmë një lirizëm si ai i artistit të madh rus Nikolai Matveevich Pozdneev, i cili është autor i tablosë “Ditë pranvere”, një nga pikturat më të theksuara lirike të realizmit socialist rus. Por Nestori është Nestor, shkalla e lirizmit mund të jetë e njëjtë, por forma është e ndryshme. Piktori Nestor Jonuzi është tejet origjinal në llojin e vet. Ka një art dhe stil realist aq sintetik sa nuk di të ndash me një të rënë të lapsit se çfarë rryme të mirëfilltë përfaqëson. Megjithatë, ai mbetet përsëri realist, tejet lirik, është një nga peizazhistët më të mirë që ka Shqipëria sidomos për sa i përket pikturave që kanë të bëjnë me pamjet e detit. Di të përdorë mjeshtërisht impresionizmin për të treguar shkumën dhe përthyerjen e dritës mbi valë, aq sa vala e dritës dhe ajo e detit kanë një përputhje e harmoni të paparë. Ai di të përdorë mrekullisht dhe hiper-realizmin kur është puna për të treguar detin në qetësi të plotë, guriçkat dhe iriqët në fund të tij. Ai është “En plein air” (një artist që punon në natyrë) dhe i kap natyrës sidomos detit gjithë nuancat e gjendjet e tij, të cilat ndikojnë dhe në gjendjen e tij shumë të ndjeshme shpirtërore. Ndërsa sheh pikturat e tij, sidomos peizazhet, nuk kupton se është deti që reflekton atë dritë, apo është Piktori i Popullit Nestor Jonuzi që i jep atij reflektimet e shpirtit të vet. Një gjë është e sigurt: nuk i ndan dot nga njëri-tjetri, ndaj deti është i madhërishëm, por edhe piktori që ia kap madhërinë e tij në mënyrën më të tejskajshme, më të thellë, merr madhështinë e tij. Kjo vjen nga fakti se ai u rrit buzë detit, duke parë tërë kohën në pafundësinë e tij se mos ndoshta i kthehej i ati, arkeologu Tasim Jonuzi, që kishte mbaruar shkollën në Graz të Austrisë, që e morën nazistët në kampet e përqendrimit gjerman, nga ku nuk u kthye kurrë më. Nestori nuk kishte lindur kur ndodhi kjo gjëmë, pra babë e bir nuk e njohën kurrë njëri-tjetrin. Deti ishte shpresa, besimi, liria, ndaj drita e tij u fut thellë në shpirtin e tij që do ta derdhte në piktura të papërsëritshme. Sa herë që shoh pikturat e Nestor Jonuzit më duket se dëgjoj vargjet e një vlonjati tjetër që u rrit si ai, Fatos Arapit te poezia “Deti” që thotë se:
I vogël , me pantallona të shkurtra ,
me këmbë të zbathura e një këmishë humaije, që e qepte vetë gjyshja …
Ashtu darkë për darkë dilja në breg .
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra .
Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë .
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë…
Kështu këndon Fatos Arapi që thotë se “dhe tani, kudo që jam,/ ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…” Por deti, siç duket, ndjek pas dhe Piktorin e Popullit Nestor Jonuzi, i cili kudo ku shkon detin e mban në shpirt sepse as ai nuk e lë detin, por as deti nuk e lë atë, ndaj dhe veprat e tij që tregojnë peizazhe nga deti dhe natyra ku u rrit janë të panumërta, për të cilat duhet bërë një kërkim dhe analizë e veçantë. Megjithatë, ai e hapi në Vlorën e tij, një ekspozitë vetëm me piktura mbi detin në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, duke i dhënë qytetit një tjetër fllad, atë të shpirtit të tij, krahas atij të detit që i lag e i spërkat brigjet e tij çdo ditë.