Pjesë dhe pasqyrë e historisë sonë

(Rreth librit “Historia e Shqipërisë edhe nga Butka” të Ylli Polovinës)

Gjithnjë kam qenë i mendimit se historia e një populli përbëhet nga historia e familjeve të tij të mëdha. Padyshim, një e tillë është ajo e Butkajve të Kolonjës. Studiuesi dhe publicisti Ylli Polovina në librin e tij më të ri “Historia e Shqipërisë edhe nga Butka” ka hulumtuar për veprimtarinë e saj kryesisht në shekullin që kaloi. Mbase nga që atëhere vendi ynë shënoi momente shumë të rëndësishme si: Paspavarësia, Pushtimi fashist, Totalitarizmi dhe Postkomunizmi. Butkajt, duke nisur me Salinë dhe përfunduar me Qemalin, Uranin e Aliçkajt kanë spikatur jo pak. E përbashkëta për të gjithë ata ka qenë atdhetarizmi, shqiptarizmi, antifashizmi, ndonëse për shumicën edhe antikomunizmi. Autori ka qemtuar një kohë të gjatë, deri tani vonë, nëpër arkiva, ka bërë intervista dhe ka shqyrtuar botime ku ka vjelur fakte jo vetëm të njohura apo të pranuara si të tilla nga historia zyrtare, por ka sjellur edhe qasje të reja ndaj jetës dhe veprimtarisë së Safetit, Fetahut, Muharremit, Qemalit, Xhaferrit etj, bij dhe nipa të Plakut të madh Sali. Ky i fundit, pasi kishte shkrirë jetën e tij për lirinë e Shqipërisë dhe rritjen edhe të fëmijëve të vëllait të ndjerë, ishte kujdesur për arsimimin sidomos të Safetit e më pas të Qemalit, pa zbehur te ta ndjenjën atdhetare dhe vullnetin për të mbrojtur lirinë kombëtare. Ndërsa Fetahun e edukoi nga afër me frymën e tij nga që zbuloi te ai një karakter të veçantë, zgjuarsi dhe njerzillëk bashkë.

Muharremi iu bashkua që në fillim komunistëve, madje atij, pa qenë fizikisht në Mbledhjen Themeluese të Partisë së tyre më 8 nëntor 1941, iu lakua tërë kohën emri aty, nga që një ditë më parë kishte mbajtur flamurin kombëtar në demonstratën antifashiste në Korçë, ku u vra Koci Bako, ndërsa ai vetë u plagos. Kurse Safeti, që, themeloi çeta antifashiste në Kolonjë e më gjerë, nën ndikimin e Ballit Kombëtar. ishte për një luftë mbarëpopullore vëllazërore kundër fashizmit dhe kundër vëllavrasjes. Një përiudhë e tillë bashkëpunimi shumë e dobishme zgjati gati një vit midis shtatorëve 1942 dhe 1943, kur ajo u prish nga komunistët. Ai u trondit shumë nga vrasjet makabre që nisën të kryhen nga të dy palët ndër shqiptarë dhe nuk pajtohej dot me vendimin e shumicës balliste për hakmarrje. Prandaj Safeti parapëlqeu të vetëvritet për t’i dhënë fund vëllavrasjes. Është e njohur deri sot shprehja e tij lapidare: Le të jem unë shqiptari i fundit që vritet! I vëllai, Fetahu e vijoi punën e Safetit, madje ngriti shumë çeta në Kolonjë, Devoll dhe Opar. Ai ishte nën ndikimin e zjarristëve që nuk kishin besim te partia e re komuniste me që aty komandonin jugosllavët Miladin e Dushan. Ndonëse ai shkoi në Pezë në shtator 1942, nuk firmosi Marrëveshjen e Konferencës së Pezës sepse nuk kishte besim te komunistët. Më vonë ra në ujdi për luftë të përbashkët me komunistët kundër pushtuesve. Por kjo nuk nuk i pengoi qeveritarët e rinj të Shqipërisë që ta burgosnin atë që më 29 nëntor 1944.

Ylli Polovina, si gjithnjë, kur flet për jetëshkrimin e figurave të shquara, përpiqet t’i japë ata së bashku me përshkrimin e mjedisit ku veprojnë, të kohës dhe faktorëve të shumënumurt që ndikojnë në ta. Heronjtë e tij nuk janë njerëz abstraktë, statikë, idealë, por realë, njerëzorë, pjesë e popullit dhe e historisë së tij. Duke lexuar librin ne marrim shumë dijeni për atë trevë të gjerë të Korçës, Kolonjës, Devollit dhe Oparit, me shumë tradita atdhetare, por edhe për tërë spektrin politik të kohës dhe protagonistët e saj. Dhe e gjitha kjo në formë artistike- publicistike. Një meritë e veçantë e librit është trajtimi i asaj që disa e quajnë Luftë Civile dhe të tjerë, më të moderuar, Elementë të Luftës Civile.

Unë kam veçuar disa fragmente nga libri, sa për të intriguar lexuesin për gjerësinë dhe thellësinë e studimit që ka bërë autori.

Tragjeditë në familjen Butka

Saliu do të humbiste edhe gjysmën e djemve të tij: Ganiun, Qenamin dhe Lazen. Në kujtimet e veta Fetah Butka, i riu, thotë se “Ganiu u vra në Pogradec që të mos valëvitej flamuri i Turqisë. Qenami u mbyt kur kthehej nga Amerika. Lazja u vra kur Saliu qe nisur për në Frashër dhe i kishin zënë pritë njerëzit e Dajlan beut”.

Aspekte të terrorit fashist deri më 1941

“Kjo fushatë arrestimesh në muajin maj 1941 nuk ka të bëjë patjetër me ndonjë goditje posaçërisht kundër komunistëve. Ende ishte në fuqi pakti fashistobolshevik Molotov-Ribentrop dhe as hitlerianët dhe as musolinianët nuk qenë të interesuar për të vepruar ndaj stalinistëve, kudo ku ata ndodheshin nëpër vendet e pushtuara prej tyre.

Edhe në Shqipëri periudha prill 1939 deri në fundqershor 1941 regjistron të arrestuar, të burgosur dhe të internuar shumë më tepër nacionalistë.

Prangimi më 19 maj i Muharrem Butkës më shumë se qe komunist dhe antifashist, siç ai këtë arsye të fundit e shkruan këmbëngulshëm në shënimet e jetës së tij, pati të bënte me raportet që ky krijoi, si të gjithë Butkajt,

me pushtimin e 7 prillit si edhe me gjeneralin helen të trupave greke të pushtimit të Korçës.

Pse u vetëvra Safeti

As që do ta kishte shkuar ndërmend ndonjëherë se një bir i Sali Butkës mund ta mbyllte jetën me një plumb dhënë vetes. Kishin rënë të gjithë nga plumbat e të tjerëve, armiqve të vendit. Safeti duke u bërë armik i vetvetes, nuk mund të ndryshonte të gjithë boshtin e jetës së Butkave. Ai patjetër, në veprimin e tij të papritur, duhej të qe orientuar prej të njëjtit ligj të familjes: kishte dalluar një armik të ri më të tmerrshëm se tërë të tjerët. Ishte ky që e kishte goditur me plumb, edhe pse nëpërmjet dorës së vetë Safetit. -“Është patjetër vëllavrasja”, shqiptoi ngadalë Fetah Butka.

Si ndikuan vëllavrasjet në vendimin e Safetit

Në 18 shtator 1943, pra një ditë para se Safeti të qëllonte veten, disa të panjohur, për të cilët fjalët e përhapura thoshin se qenë partizanë, masakruan tre banorë nga Bulgareci. Ata kishin ngarkuar në tre kuaj bukë e gjizë për ballistët në Teqenë e Melçanit, të cilët ishin shumë dhe nuk mund të përballoheshin vetëm prej faltores bektashiane. Të tre Agollët, kushërinj, u vranë dhe u gjymtuan fare afër, tek këmbët e kodrës së teqesë. U kishin prerë hundën, veshët.

Në 14 shtator 1943, tri ditë para se Safeti të qëllonte veten, tek portat e qytetit ushtarak italian të Gërhotit në Gjirokastër do të ndodhë vrasja e Hysni Lepenicës, shokut të ngushtë të tij, pjesëtarë që të dy të grupit të të rinjve të Ballit Kombëtar.

Tregimi i Ekrem Bardhës

Xhevdetin, student në Liceun e Korçës, e kishte vrarë çeta e Petrit Dumes në mes të rrugës, afër Gërmenjit, me urdhër të Petrit Dumes dhe Josif Pashkos.

Pasi ndaluan veturën me të cilën udhëtonte nga Teqeja për në Korçë, Xhevdetin e urdhëruan të zbriste. Sapo vetura u largua pak, Xhevdet Ramollin e ekzekutuan pa i dhënë asnjë shpjegim. Njerëzit u tronditën nga kjo vrasje pa kuptim”.

Pak më poshtë Ekrem Bardha përshkruan: “Pamja ishte e llahtarshme. Anës rrugës pamë Xhevdetin të shtrirë, këmisha dhe xhaketa ishin mbuluar me njolla gjaku, dhe më e keqja ishte se e kishin masakruar me thikë, duke i prerë të dy veshët.

Qendrimi burrëror i të atit të Xhevdetit

Kur turma thërriste: “Hakmarrje! Hakmarrje!” Pikërisht këtë çast doli në krye të varrit Dervish HajdarRamolli. Ai tha: “Mos zini në gojë hakmarrje, se lëndoni Zotin dhe mua. Për djalin tim, nuk dua as t’i vejë gjak nga hundët ndonjërit, kushdo qoftë. Djalin ia kam falur Shqipërisë. E pati këtë fat im bir, por nuk dua të vriten të rinj të tjerë për shkak të tij”

Bardha shkruan më tej: “Por në ato vite ndodhën krime nga të dyja palët kundërshtare. Në mes të Ersekës u vranë dy këpucarë nga Poda, të akuzuar si komunistë. Ndërsa partizanët vranë një të ri, që rridhte nga familje nacionaliste. Të nisur nga kjo vrasje ballistët thirrën në kishën e fshatit Gostivisht nëntë prindër që i kishin djemtë partizanë, duke i pyetur nëse kishin lidhje djemtë e tyre me vrasjen e të riut nacionalist. Edhe pse prindërit e partizanëve e mohuan këtë lidhje, ballistët, pa asnjë urdhër nga eprorët e tyre, i ekzekutuan ata brenda në kishë”.

Ndërsa dita po gdhihej, disa katundarë sollën në Melçan dy trupa të sakatuar tmerrshëm. Qenë pa sy, pa veshë, pa hundë, pa dhëmbë, me krahët dhe gjunjët të thyera, me organet seksuale të prera. Njerëzit që i panë u lemerisën, u zemëruan, u mbushën me urrejtje. Të masakruarit qenë dy ballistë të njohur. Quheshin Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci. I pari ishte komandanti i çetës nacionaliste të këtij fshati dhe i dyti luftëtar i saj.

Në fillim të janarit 1944 u përhap në Kolonjë dhe qe dridhëse një ngjarje, sipas të cilës njerëz të Lëvizjes Nacionalçlirimtare kapën në rrugë një të ri, i kërkuan xhaketën dhe pastaj këpucët (“I paske të mira!”), duke i thënë se ai në shtëpi do të shkonte dhe atje mund të rivishej, kurse ata jetën e kishin në majë të malit. Djaloshi ua fali rrobat e trupit dhe ndërsa nisi udhën për t’u kthyer në fshatin e vet, ata i shtinë pas shpine dhe e vranë. Por nuk e varrosën. I lanë pranë, ngulur me gozhdë në trungun e një peme, një letër, në të cilin urdhëronin dhe kërcënonin që askush të mos guxonte ta fuste atë kufomë nën dhe.

Kur partizanët lokalë dogjën në Psar të Zi shtëpinë e komandantit ballist vendas Qemal Burimi, përveç fasuleve apo mishit pastërma që ruante për të kapërcyer dimrin, i morën deri edhe kashtën, tagjinë për lopën dhe kalin.

Ҫfarë zbulou Plaku Butka te Safeti e Fetahu

“Plaku” ishte shumë i mençur dhe tek i pari dalloi që ishte plot pasion për shkollë, tërë talent për t’u bërë njeri i dijes, prandaj edhe e nisi për shkollim në Austri, atje ku me kohë studionte Safeti. Fetahut i dha misionin të jetonte në Butkë e të bëhej shtylla e familjes së tyre në Kolonjë.

Karakteri i Fetahut

Mik i të gjithëve dhe armik i asnjërit, Fetah Butka megjithatë zotëronte aftësinë të bënte autoritet nëpërmjet baraspeshimit dhe jo të qenit i njëanshëm.

Prandaj po ju them, u hodh sërish Fetahu, mos hidhni asnjë plumb ndaj njeritjetrit! Shqiptari nuk e vret shqiptarin!” Me kaq mbledhja mbaroi.

Banorët dukeshin të lehtësuar në shpirt. Tashmë e kishin një rrugëzgjidhje,

madje të këshilluar prej një nipi të Sali Butkës.

Por Fethau nuk u bashkua me krerët e Grupit të “Zjarrit” të cilët mund të ishin çdo gjë, por komunistë nuk ishin. Ata ishin ose trockistë, ose nacionalistë antikomunistë. Është e qartë se Fetahu u bashkua me Safetin…”

Gjithësesi ai thotë: vendosëm që të mos bashkoheshim, se në Pezë qe edhe Miladini, “një jugosllav që Enveri merr udhëzime nga ay e na flet ne. Ne s’mund të punojmë me jugosllavët”. Ju thashë “Të bëjmë bashkim për luftë të përbashkët, jo për mendimet e njerëzve, komunist o tjetër. Bashkim vetëm për luftën e çlirimit të Shqipërisë”

Shkova në Korçë dhe aty takova Xhemal Meçen dhe shokët e tjerë të Zjarrit. Xhemali më tha se kemi bërë dhe rënë dakord dhe herë të tjera, por nuk i lënë jugosllavët se janë shitur tek ata.

Janë mbi gjashtëdhjetë fshatra në të cilat Fetah Butka deklaron se ka vepruar për të mobilizuar popullin në zbatim të vijës së Ballit Kombëtar për bashkim dhe vëllazërim me komunistët dhe këdo tjetër të gatshëm për luftën kundër pushtimit të huaj.

Pakti komunisto- ballist

Mes komunistëve dhe nacionalistëve ka pasur një periudhë të butë të marrëdhënieve të tyre. Kjo ka ndodhur midis dy shtatorëve 1942-1943.

Për një gjysmë njëqindvjeçari kjo stinë raportesh të hapura mes njëri-tjetrit është shfarosur prej historishkrimit zyrtar të diktaturës. Vrima e errët e krijuar në kujtesën tonë kombëtare u bë trashëgimi edhe më e thellë dhe më e zezë, kur u vu re se edhe në çerek shekullin pluralist inercia e ambientimit me këtë gropë vazhdon pa shkaktuar ndonjë shqetësim të posaçëm.

Në çdo qytet do të ketë nga një komision për koordinim aksioni, i përbërë prej një shoku nga tanët dhe një prej atyre. Ky komision ka këtë të drejtë: njëra palë propozon të bëhet një aksion, ku duhet të bashkohen të dyja palët; në qoftë se aksioni pranohet, atëherë veprohet, në rastin e kundërt, pala që e propozoi aksionin e kryen vetë”

Për paktin komunisto-ballist për pesëdhjetë vite nuk u fol asnjë fjalë. Ai nuk u shënua, qoftë edhe me vetëm tre rreshta në asnjë libër shkollor, në çdo botim tjetër po ashtu, përfshi edhe publikime me rreth të kufizuar lexuesish, siç qenë ato të llojit akademik.

Nuk u fol kurrë për Ushtrinë Nacionalçlirimtare Partizane e Vullnetare”

Në Konferencën e Dytë të Nacionalçlirimtare, në Labinot, më 6 shtator, u mor vendimi për ta shndërruar stinën e butë të dialogut në një dimër të egër konflikti. Fjalët do t’i zëvendësonin grykat e armëve.

Që prej këtij momenti nuk ka më UNÇPVSH, por vetëm UNÇSH.

Karakteri i Muharremit

…komunisti Muharrem Butka nuk vajti në varrimin e ballistit Safet Butka.

Pse Enver Hoxha e denigroi Safet Butkën

Safet Butka qe një lëndë njerëzore tepër e ndjeshme, natyrë psikologjike mjaft e brishtë. Ja përse Enver Hoxha e kishte vënë në shenjë dhe qe i bindur se do t’ia dilte ta hiqte qafe. Vrasjen e kundërshtarëve politikë nëpërmjet shkaktimit të rrethanave personale për vetëvrasje, pas lufte ai dhe bashkëpunëtorë të tij do ta bënin një prej teknikave të tyre më të sofistikuara

Masakra e Turanit

Njëzetë e gjashtë shtatori 1943 përhapi lajmin e një kobi të paparë as në motet kur andartët grekë gjakosnin jetë shqiptarësh nëpër Kolonjë. Në teqenë e Turanit këtë ditë erdhi me të birin, Ritvanin, Refat Goskova, shoku i ngushtë i Safet Butkës. Ishte me ta edhe nacionalisti emërnjohur Sabri Panariti, po ashtu edhe ai me djalin e vet, Dajlanin. Në këtë grup të mbledhur aty pa asnjë qëllim politik e ca më pak plan luftarak, nuk mungonte edhe baba Zylfo.

Refat Goskova dhe Sabri Panariti bashkë me dy djemtë e tyre në teqe hynë pa armë. Duke qenë se afër saj ishte një postbllok gjerman ato i patën fshehur në një vend të sigurt, për t’i rimarrë më pas, kur të iknin. Pasi bënë një mbledhje, përmbajtja e të cilës nuk u mor vesh kurrë, ata hëngrën darkë dhe ranë të flenë. Ndërsa qenë në gjumë të thellë, pas mesnate, njëri nga dervishët hapi derën e teqesë dhe ndihmoi të futeshin fshehur disa partizanë.

Sipas një fjalënaje në krye këta persona që ishin realisht të tillë apo qenë veshur në mënyrë të ngjashme, kishin pranë vendasin me emrin Niko Çeta. Baba Zylfon, Refatin dhe Sabriun i therën në gjumë, por Ritvani i plagosur arriti të shpëtojë, duke u hedhur nga dritarja. Pastaj nisi të ecë, nëpër natë, drejt Korçës. Tek postblloku gjermanët e diktuan dhe e qëlluan me armë, duke e riplagosur. E kapën dhe e çuan në spital. Atje edhe vdiq.

Therja e një kleriku fetar qe e paimagjinueshme, ndërkohë që Baba Zylfo kishte qenë edhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.

Sabri Panariti vinte prej një familjeje patriote dhe vetë qe atdhetar shembullor. Refat Goskova njihej si njeri i ndershëm dhe qe prej atyre ballistëve që nuk i donin pushtuesit, të vjetrit dhe të rinjtë, italianët apo gjermanët.

Safet Butka dhe Hysni Lepenica (sipas një Trakti të Ballit Kombëtar) ishin pionierët e parë të lëvizjes kombëtare t’inkuadruar në radhët e Ballit Kombëtar dhe si të tillë janë të parët dëshmorë në misionin e shënjtë.

Sipas arsyetimeve logjike të autorit fajtori i vërtetë për shpërthimin e ndeshjes civile nuk ka qenë Balli Kombëtar dhe ca më pak Legaliteti.

Personaliteti i Qemal Butkës ndër të tjera

Qemal Butka, nga 21 tetori 1935 deri 7 nëntor 1936 ky u bë kryetar i bashkisë së kryeqytetit.

Inxhinier arkitekt pranë Ministrisë së Punëve Botore (emëruar në 25 shtator 1931), Qemal Butka ishte edhe projektuesi i ndërtesës së Bashkisë së Korçës,

i Sanatoriumit të Voskopojës, i një hoteli shtetëror në Durrës, i Ambasadës Rumune në Tiranë, i Foshnjores “Hysen Nikolica”. Do të qe në kryeqytet edhe arkitekti i Mauzoleut të Nënës Mbretëreshë, të cilin kur PKSH erdhi në pushtet e hodhën në erë. Ishte edhe i Monumentit të Lirisë, të cilin italianët sapo e pushtuan Shqipërinë e shkatërruan me dinamit. Qemal Butka qe projektues edhe i Pallatit Mbretëror. Dora e tij krijoi pllakatin e 25 vjetorit të Pavarësisë (28 nëntor 1937, po ashtu serinë e pullave për këtë përvjetor.

Mes shkrimeve të tij është edhe “Tomori, një tempull kombëtar”. E botoi në gazetën “Djalëria”, nr. 3, janar 1928. Në të janë edhe këto fjalë: “Si do gjykofshim, si do punofshim, në një pikë duhet të qëndrojmë të njëjtë dhe të patundur: Bazën e qytetërimit të mos e kërkojmë as kurrkund, gjetkë, përveç se në atdhenë t’onë, në Shqipërinë vetë. Jo të themi, të marim kulturën gjermane ose të marim kulturën romane apo të tjera, por vetëm të përmbajmë kulturën shqiptare, sado e vogël qoftë. Detyra jonë është ta rrisim, ta lartësojmë, ta zbukurojmë”.

Diku Qemali ka thënë: Atdheu është shpirti, zjarri, ëndrra, dashuria, kënga dhe loti im”.

Nisja e kalvarit komunist për Fetahun e familiarët

Më 29 nëntor 1944, ditën kur u njoftua se qe çliruar edhe qyteti i Shkodrës dhe me këtë edhe tërë Shqipëria, një skuadër partizanësh u shkuan në banesë dhe i çarmatosën që të pestë. Ishte mëngjes. Gjithçka qe llogaritur mirë. Dita ishte përpara me plot me orë të bollshme për t’i lidhur me litardhe transportuar për në Korçë, drejtpërsëdrejti në burg.

Deri këtu kishte qenë besëlidhja e komandantit të Brigadës së Dytë Beqir Balluku dhe e komisarit Vasil Konomi me Fetah Butkën, bërë tre muaj më parë në fshatin Dardhë, ndërsa një grup prej luftëtarësh të Lëvizjes Nacionalçlirimtare ia kishin marrë këngës tallëse për vetëvrasjen tragjike të Safet Butkës. PKSH nuk kishte pritur as njëzetë e katër orë më shumë për ta shndërruar luftën për dëbimin e pushtuesve, të cilën e quante edhe “revolucion çlirimtar”, në një tjetër revolucion, i cili do të qe shoqëror dhe në thelb një përmbysje totale. Kishte nisur periudha e Yllit të Kuq.

Pasmotet 1945 ishin vite arratisjesh të shumta, me qindra që vit pas viti do të bënin shifrën e disa mijërave. Mes tyre qenë edhe dy djemtë e një kushëriri të familjes Butka në fshat. Quheshin Sami dhe Petrit.

Partia Komuniste Shqiptare në vitin 1947 kishte brenda vetes edhe një kohë tjetër: atë të Koçi Xoxes. Qe periudha e ferrit për të gjithë nacionalistët, të majtë e të djathtë, intelektualë dhe me vetëm dy klasë shkollë. Fetah Butka dhe Avni Bejkova i plotësonin të gjitha kushtet për të qenë shënjestër e komunizmit xoxist.

Fati tragjik i të burgosurve politikë antikomunistë në burgun e Burrelit

Për dhjetë ditë rresht Koço Kota dhe Qemal Vrioni u torturuan. Klithmat e tyre rrëqethnin edhe vetë gurët e mureve. Shpesh ata binin në përçartje. Kur ishin në gjendje të flisnin, gardianët në korridor bënin zhurmë sa më shumë të mundnin. Pas kësaj qe shumë e vështirë të kuptohej çfarë të torturuarit thoshin. Por gjithsesi diçka prej të folurave të tyre shkonte jo vetëm tek qelia e Avni Bejkovës, por edhe pak më tej, duke u ngrirë dhe shurdhuar në bërrylin më të parë të korridorit. Në dhomat e mëdha, atje ku gjendej edhe Fetah Butka, kobi i asaj që po ndodhte mbërrinte nëpërmjet gojëve të rrëfyesve të tjerë. Koço Kota dhe Qemal Vrioni për afro dy muaj rresht, tërë rënkime, kërkonin bukë, por atë ua jepnin shumë të kripur. Kërkonin ujë, por edhe atë ua vinin në pagure të njelmët, gati shëllirë. Kështu ata të dy nuk ngopeshin kurrë as me bukë dhe as me ujë. Torturuesit u shkaktonin absese, u futnin mikrobe, u provokonin infeksione në këmbë. Qe një mjeshtëri e padëgjuar e tyre. Pas kësaj këmba enjtej dhe bëhej gangrenë, duke paralajmëruar vdekjen e sigurt. Mishi i trupave të Koço Kotës dhe të Qemal Vrionit më në fund u kalb. Në korridor filloi të binte erë si të kishte ndonjë ngordhësirë.

Ditën e tretë në qelinë e frikshme shtatëmbëdhjetë sollën dy shokët e tjerë të porsa të vrarëve: Mihal Bellkamenin dhe Atif Goljen. Llahtari i klithmave dhe rënkimet për bukë e ujë vazhduan edhe një muaj tjetër, duke e mbushur plot me ankth edhe tetorin e vitit 1947. I pari vdiq Mihal Bellkamenit. Hedhja e kufomës së tij në një gropë poshtë qershisë në të dalë të telave me gjemba, u bë si edhe më parë për kryeministrin Koço Kota dhe ministrin Qemal bej Vrioni: nëpër natë. I katërti i mbetur nga ajo vrasje shtetërore, majori Atif Golja, duke qenë më i ri dhe më i fuqishëm, vijoi të rezistonte. Nuk i dilte shpirti. Por mbas disa ditësh i nxorën të gjithë të burgosurit, të pesëqind, jashtë birucave, në oborr. Pa lenë asnjë brenda. Qe një boshatisje totale, e çdo qenieje të gjallë. Përveç Atifit. Policët e kishin mbytur, por u qe djegur shpresa që vrasjen ta bënin të pazhurmshme. Prandaj edhe patën zgjedhur mbytjen. Atif Golja i kishte sfiduar edhe këtu.

Përkujtimi i Butkajve

Ndërkaq shenjat e kësaj familjeje po nguliten nëpër vende publike. Tashmë në Tiranë ka një rrugë me emrin e Sali Butkës dhe një e dytë mban atë të Muharremit. Të dyja u vunë pas rënies së regjimit të para nëntëdhjetës. Me një vendim të këshillit bashkiak të kryeqytetit të 21 prill 2000 një rruge të tretë iu vu emri i Qemal Butkës.

Bardhyl Selimi, 2 maj 2018