Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim, për krime lufte

Hagë, 16 korrik 2024 – Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë me 18 vjet burgim, për pjesëmarrje në ndalim arbitrar, torturë e një rast të vrasjes, në periudhën mes majit dhe qershorit të vitit 1999.

Ai është dënuar me 6 vjet burgim për ndalim arbitrar, me 16 vjet për torturë dhe me 18 vjet për përfshirje në një vrasje. Këto dënime janë përmbledhur në dënimin e njësuar prej 18 vjetësh burgim.

Trupi gjykues ka konstatuar se Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, mes 17 majit të dhe 5 qershorit të vitit 1999, kishte marrë pjesë në  ndalimin arbitrar, torturimin dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë.

Ndaj tij nuk është shqyrtuar vepra penale “trajtim mizor”, pasi ajo është përfshirë në veprën penale “torturë.

Gjatë procesit gjyqësot është konstatuar se viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë, se nuk e përkrahnin luftën e UÇK-së ose se nuk merrnin pjesë aktivisht në luftë.

Sipas aktgjykimit, të ndaluarit në fabrikën e metalit janë keqtrajtuar sistematikisht fizikisht dhe psikikisht. Ndër të tjera, gjatë marrjes në pyetje ose gjatë dhënies së deklaratave, viktimat janë shtërguar, janë rrahur me mjete të ndryshme, janë kërcënuar me vdekje, janë ngacmuar seksualiasht dhe janë poshtëruar për t ‘i detyruar të pranojnë veprat që u janë atribuar.

Trupi gjykues ka konstatuar se Pjetër Shala ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në krime, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë dhe si person që nuk ka marrë masa për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, por edhe duke ndihmuar dhe duke inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat janë përfshirë në aktakuzë.

Gjatë shqiptimit të dënimit, në sallën e Gjykatës Speciales, Shala është dëgjuar  duke bërtitur e duke protestuar, ndërsa trupi gjykues ia ka tërhequr vërejtjen që të dëgjonte dhe se ai nuk kishte të drejtë të fliste.

Aktakuza fillestare ndaj Shalës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020. Ai është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë.

Procesi gjyqësor ndaj tij ka filluar më 21 shkurt të vitit të kaluar.

Gjykata Speciale në Hagë deri më tash ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Salih Mustafës, i njohur me nofkën e luftës “Cali”, i cili është shpallur fajtor për krime lufte e krime kundër njerëzimit, si edhe ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, tw cilët janë shpallur fajtorë për pengim të admimnistrimit të drejtësisë.

Aktualisht është duke u zhvilluar procesi gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimi, ish-drejtues të lartë të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Një process gjyqësor është duke u zhvilluar edhe ndaj Isni Kilajt, Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, të cilët akuzohen për frikësim të dëshmitarëve në rastin e Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit.

(r.m.)