Takim i vlefshëm me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti
Nga Agim Aliçkaj

Në këtë takim, në emër të liderëve legjendarë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, si dhe Bordit të Ligës, ja përcolla përshëndetjet më të përzemërta dhe mbështetjen e parezervë për ndërtimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës, Kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti dhe këshilltares së tij Fëllanza Podrimja.
Na gëzoi shumë rasti që të shihemi shkurt me Ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
E informova Kryeministrin për situatën aktuale politike në SHBA, për veprimtarinë e Ligës në Washington, përshtatjen rrethanave të reja, pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhjet lokale dhe nacionale të Kosovës, mundësitë e bashkëpunimit më të madh të Qeverisë me LQSHA-në dhe organizatat tjera në SHBA, si dhe për organizimin e disa ngjarjeve me interes të përbashkët.
Biseduam edhe për për çështje tjera, për mundësinë e aprovimit të Lejes së ndërtimit të një OBELISKU për 1432 fëmijët e masakruar nga forcat serbe afër aeroportit të Prishtinës, ide e luftëtarit të lirisë Dr. Nusret Pllana, përkrahjen për Luginën e Preshevës në krye me deputetin Shaip Kamberi dhe zgjimin kombëtar të trevës shqiptare të Sanxhakut të nisur nga patriotja Amina Nuraj.
Kryeministri fliste me mençuri dhe vizion për të gjitha çështjet, por edhe për mendimet e kundërta dhe kritikat konstruktive, për mundësinë e afrimit me kundërshtarët politik që nuk janë të korruptuar, si dhe për përmbajtjen nga reagimi ndaj fyerjeve dhe nënçmimeve të paskrupullta të kundërshtarëve. Ai reflektonte ndershmëri, sinqeritet, guxim, trimëri dhe vendosmëri.
Bashkë me mikun dhe shokun e ditëve të para në Amerikë, Ramazan Bekteshi, mu në kështjellën e shtetit të Dardanisë, Kryeministrit të Dardanisë, ja shprehëm shqetësimet tona për situatën e palakmueshme politike, dhe përkrahjen tonë për kauzën e përbashkët, mbrojtjen dhe ndërtimin e shtetit. Dhe këto nuk janë vetëm tonat por edhe të mijëra bashkëatdhetarëve tanë në Amerikë të pavarur nga partitë politike, intelektualëve të shumtë, të atyre që flasin por edhe të atyre që nuk dalin publikisht për arësye të ndryshme.
Po na dhembin zemrat për Kosovën. Çka po ndodhë kështu?! A kanë mendje dhe fytyrë këta deputetë? Si është e mundur ta bllokojnë veten, vendin e tyre të punës dhe të jetës, për inate dhe interesa tjera? Si është e mundur të sulmohet shteti për ta marrë pushtetin? Si është e mundur që liria dhe pavarësia e fituar me gjak dhe rezistencë shekullore të rrezikohet nga vetë shqiptarët?!
Si është e mundur që “Lista srpska”, një organizatë me lidhje të dëshmuara terroriste, armike e përbetuar e popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, të lejohet të marrë pjesë në jetën demokratike në mënyrë selektive, sipas dëshirës, për të vetmin qëllim, shkatërrimin e shtetit? A do ta lejonte Evropa këtë? A do të lejonte Amerika një parti të finansuar dhe të trajnuar nga Venezuela ose Irani të regjistrohej dhe të vepronte lirisht në Amerikë? Jo, jo, kurrë jo.
Pas të gjitha të këqijave të ditëve të fundit, pas bllokimit të shtetit nga partitë humbëse të zgjedhjeve, pas vendimit të turpshëm, antikushtetues dhe antishtetëror të Gjykatës Kushtetuese në favor të organizatës armiqësore “Lista srpska” e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe as Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, është e qartë se Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca janë shpresa e vetme për mbrojtjen e Republikës.
Ata duhet të qëndrojnë të fortë, të bashkuar e të vendosur, sepse janë në rrugë të drejtë. Arritjet e tyre në përballjen me armikun serb dhe presionin e padrejtë ndërkombëtar janë historike. Ata që nuk e pranojnë këtë fakt nuk meritojnë respekt as konsideratë. Shumicën e mërgatës e kanë me vete, popullin e Kosovës me shumicë e kanë me vete.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten e vetmja rrugë e drejtë dhe e sigurt përpara për Dardaninë tonë heroike.

