Policia e Kosovës dhe Afrim Bunjaku nderohen në “Times Square” në Nju Jork

Nju Jork, 25 shtator 2023 – Policia e Kosovë fitoi gjithë mirënjohjen e merituar të të gjithë qytetarëve lojalë të Kosovës të dielën, duke mposhtur një grup terrorist serb të përgatitur, të armatosur e të pajisur shumë mirë për destabilizimin e situatës në pjesën veriore të vendit. Ajo e fitoi edhe respektin e profesionistëve të fushës së sigurisë për kyerjen me shumë profesionalizëm të operacionit kundër terroristëve serbë dhe për mbrojtjen e qytetarëve të pafajshëm dhe pelegrinëve që u morën peng nga terroristët në Manastirin ortodoks të Banjskës, në komunën e Zveçanit.

Qytetarët e Kosovës e nderuan posaçërisht Afrim Bunjakun, rreshterin e Policisë së Kosovës që dha jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve dhe të rendit e qetësisë në Kosovë, për çka ishte betuar kur ishte bërë pjesë e sistemit të sigurisë së vendit. Të dielën në mbrëmje, në Prishtinë u ndezën qirinj për Afrimin, burrin që do të nderohet si nderohen heronjtë që sakrifikohen për atdheun.

Afrim Bunjaku, si edhe të gjithë kolegët e tij që morën pjesë në operacionin për përballimin e grupit të terroristëve serbë, iu shpreh mirënjohje edhe në Nju Jork. Të dielën në mbrëmje, në ekranin gjigand në sheshin “Times Square” u vendos logoja e Policisë së Kosovës, me mbishkrimet “Faleminderit heronjve tanë, Policisë së Kosovës” dhe “Rrnoftë Kosova Republikë!”.

Në ekranin e sheshit “Times Square” u shfaq edhe logoja e Ushtrisë Çlirrimtare të Kosovës “UÇK” me një dedikim për policin Afrim Bunjaku që ra të dielën në përleshje me terroristët serbë: “Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri – Afrim Bunjaku”.

Në sfondin e videoregjistrimit të shpërndarë në rrjetet sociale dëgjohet një këngë për Mitrovicë, qytetin që është shndërruar në simbol të përballjes me aspiratat e Serbisë për ndarjen e qytetit e të Kosovës.

Për nderimin e Policisë së Kosovës dhe të heroit të fundit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në “Times Square” të Nju Jorkt është përkujdesur Dren Deva nga Mitrovica dhe kompania e tij “Tafingo”.

(r.m.)