Policia e Kosovës e ndaloi djalin e Vuçiqit, ia hoqi bluzën me mesazhe provokuese

Prishtinë, 28 qershor 2023 – Policia e Kosovës e ka ndaluar djalin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Danilon, në fshatin Trudë, në periferi të Prishtinës, të mërkurën në mbrëmje.

Policia e ka detyruar Danilon ta zhveshë bluzën me stemën e Serbisë në pjesën e përparme dhe me parullën “Dorëzimi nuk është opsion”, në pjesën e prapme. Babai i tij, Aeksandar Vuçiqi, e përdor shpesh këtë parullë kur dëshiron të përcjellë mesazhin se ai nuk do të ndalojë të luftojë për “kthimin” e Kosovës në Serbi.

Kur është ndaluar nga policia kosovare, Vuçiqi i ri ishte bashkë me disa të rinj serbë që ishin duke u kthyer në Serbi nga Graçanica, afër Prishtinës, ku kishin marrë pjesë në festimet e Vidovdanit. RTV Dukagjini e ka publikuar një foto nga festimet në oborrin e Manastirit të Graçanicës, ku Danilo shihet me bluzën me parullën provokuese për qytetarët e Kosovës.

Festa e Vidovdanit lidhet me Betejën e Kosovës të vitit 1389, kur forcat e një koalicioni të popujve ballkanikë janë ndeshur me forcat e Perandorisë Osmane. Serbia e ka përvetësuar këtë betejë, duke e quajtur si betejë të ushtrisë së saj kundër Perandorisë Osmane.

Festimet e Vidovdanit mbahen çdo vjet në Gazimestan, rreth 10 kilometra në veri të Prishtinës. Por, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe vendosi që sivjet ajo të festohet në Manastirin e Graçanicës, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Patriarku Porfirije, i cili mori pjesë në një shërbesë përkujtimore në Graçanicë, tha se u bën thirrje të gjithëve që “të kontribuojnë për paqen në Kosovë”. Ndërkaq, serbëve të Kosovës u kërkoi që “me shembullin e tyre, t’u japin mësim të gjithëve”.

(r.m.)