Prishtinë, 30 janar 2024 – Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), është duke e kontrolluar një objekt në qendër të Zveçanit, ku janë gjetur thasë me rërë që përdoren si barrikada.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajoni e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se autoritetet kanë marrë informacione se potencialisht ka “diçka të paligjshme” në objektin që gjendet në hyrjen e Zveçanit nga drejtimi i Mitrovicës së Veriut.
Pas hyrjes së forcave të rendit në këtë objekt, janë gjetur thasë me rërë.
“Ajo që e dimë është se [thasët me rërë] ose janë planifikuar për ose janë përdorur për barrikada. Njësia [e Policisë së Kosovës] nga Prishtina ka ardhur për të përcaktuar se për çfarë objekti bëhet fjalë dhe pse janë [thasët me rërë] aty”, tha Elshani.
Në murin e objektit ku po kryhet kontrolli është një grafit i logos së organizatës “Brigada e Veriut” dhe mbishkrimet: “Mos u brengosni! Jemi këtu për t’ju mbrojtur” . “Brigada e Veriut është shpallur organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.
Zveçani është një ndër katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Në të kaluarën, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë, duke përdorur mjete të ndryshme të rënda, sikurse kamionët, për të bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendime të ndryshme të Qeverisë së Kosovës.
(REL)