Prishtinë, 30 shtator 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se të shtunën, më 30 shtator, gjatë një kontrolli në pjesën veriore të vendit, ka gjetur sërish armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake.
“Sot është bërë kontrolli i terrenit që përfshin fshatin Brezne – Zveçan, pjesën malore të cilën e kanë shfrytëzuar sulmuesit, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armëve të rënda, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake”, thuhet në njoftim.
Në mesin e armëve të gjetura të shtunën kishte edhe raketahedhës, armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake.
Një ditë pas sulmit të grupit të terroristëve serbë në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës kishte gjetur e konfiskuar një arsenal të madh armësh dhe pajisjesh luftarake.
Ekspertët ushtarakë thanë se kjo sasi armësh mjafton për një njësi këmbësorie prej së paku 300 ushtarësh.
(r.m.)